Vendosni fjalën kyçe....

Po xhironte videoklipin e këngës mbi urë, Bon Jovi shpëton nga vetëvrasja gruan – Video


Jon Bon Jovi është vlerësuar nga departamenti i policisë në Nashville pasi këngëtari i rock-ut ndihmoi  një grua të dëshpëruar që ndodhej pranë skajit të një ure.

Incidenti ndodhi të martën mbrëma në urën e këmbësorëve Seigenthaler, e cila kalon mbi lumin Cumberland.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, shihet që gruaja kishte kaluar mbi kangjellat e urës dhe qëndronte në një parvaz përtej tyre.

Bon Jovi u fotografua duke biseduar qetësisht me gruan, përpara se ai dhe një shoqërues ta ndihmonin atë të kalonte sërish mbi kangjellat. Më vonë, Bon Jovi e përqafon ngrohtësisht dhe ecën me të anash përtej urës.

“Na takon të gjithëve të ndihmojmë njëri-tjetrin e të qëndrojmë të sigurt,” tha shefi i policisë John Drake në një deklaratë të ndarë në platformën X.

Bon Jovi u vlerësua gjerësisht në mediat sociale.

Themeluesi dhe lideri i grupit Bon Jovi, 62 vjeç, publikoi albumin e tij të 16-të studio me grupin këtë vit, “Forever”, i cili arriti Top 5 në SHBA dhe MB.

Ai ka hasur vështirësi me zërin e tij vitet e fundit, pasi një dëmtim i kordës vokale e pengoi të bënte turne.

 “Jam mëse i aftë të këndoj përsëri. Standarti tani është: A mund të këndoj për dy orë e gjysmë natën, katër net në javë? Përgjigja është jo,” tha ai për Guardian në qershor.

Bon Jovi është i njohur për ndërgjegjen e tij sociale: si filantrop, ai ka ndihmuar njerëzit me të ardhura të ulëta, duke hapur katër restorante të Soul Kitchen me një skemë “paguaj sa mundesh”, si dhe ka financuar nisma për strehim dhe shëndetësi.