Sipërfaqja pyjore vendit ka pësuar rënie të ndjeshme në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare që publikoi sot INSTAT.
Në vitin 2023 fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.420.973 (ha), duke përfaqësuar 49,4% të sipërfaqes gjithsej të vendit. Sipërfaqja pyjore është zvogëluar me 18 për qind në krahasim me vitin 2022 ku INSTAT ka raportuar 1,731,901 hektarë.
Po INSTAT raporton se në dhënat e vitit 2023 nuk përfshihet sipërfaqe e fondit pyjor dhe kullosor që ndodhet brenda zonave të mbrojtura (pasi këto të dhëna janë objekt rishikimi)*
Në 2023 pyjet shtrihen në një sipërfaqe 1.420.973 (ha) që përfaqëson 68,3% të fondit pyjor dhe kullosor. Kullotat dhe livadhet zënë një sipërfaqe 336.105 (ha) ose 25,8% të fondit pyjor dhe kullosor. Sipërfaqet me bimësi pyjore dhe joproduktive që janë pjesë e fondit pyjor, zënë një sipërfaqe 85.013 (ha) ose 5,9% të këtij fondi.
Në vitin 2023, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arrin në rreth 53.176.000 (m3), nga të cilat 93,9% e këtij vëllimi përbëhet nga pyjet publike dhe 6,1% nga pyjet private. Në vitin 2023 ka pasur një rënie prej 1,64 %, krahasuar me vitin 2022.
Në vitin 2023, në fondin pyjor sipërfaqen më të madhe e zënë fletorët me 48,5%, ndjekur nga shkurret me 38,0% dhe halorët 13,5%.
Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ato ofrojnë.
Zonat e mbrojtura në vitin 2023 zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 626.045 (ha) e cila përbën 44,0% të sipërfaqes së fondit pyjor dhe kullosor si dhe rreth 21,8% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit por të dhënat për këto sipërfaqe po rishikohen.
Në vitin 2023 sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura e zënë parqet kombëtare me 50,3% të sipërfaqes gjithsej, ndjekur nga rezervatet natyrore të menaxhuara me 35,5%, peizazhet e mbrojtura me 13,9% dhe monumente natyrore 0,3%.
Sipas Vkm Nr. 433, Datë 8.6.2016 për Transferimin Në Pronësi Të Bashkive Të Pyjeve Dhe Të Kullotave Publike Informacioni mblidhet në të gjitha Bashkitë e vendit të cilat kanë detyrimin ligjor të raportojnë çdo tre muaj në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit Baza ligjore për mbledhjen e statistikave të pyjeve dhe biodiversitetit është Programi i Statistikave Zyrtare 2022-2026, duke zbatuar klasifikimet dhe përkufizimet sipas rregulloreve përkatëse të BE-së.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor