Kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha ka komentuar replikat mes ish-bashkëpunëtorit të ngushtë Gazment Bardhi, që tani është në krahun e Berishës me kryeministrin Rama.
Basha shkruan në rrjetet sociale që poshtë ballkonit të Berishës nuk janë vetëm ata që kanë humbur rrugën e arsyes po edhe kryeministri Rama, pasi aty është firmosur Amnistia Penale për të liruar të korruptuarit e tij.
“Teatri i kooperativës Rama-Berisha vazhdon, me gjasme luftë parlamentare. Por poshtë ballkonit nuk janë vetëm ata që kanë humbur rrugën e arsyes për një copë karrike, poshtë ballkonit është edhe Edi Rama, sepse aty e firmosi Amnistinë me Berishën për të liruar të korruptuarit e tij. Poshtë ballkonit është edhe Edi Rama, sepse aty e ndryshoi Kodin Zgjedhor me Berishën, për ta mbushur Parlamentin me kamikazë kundër SPAK. Poshtë ballkonit është edhe Edi Rama, sepse koha po vjen që në ballkon të shkojë edhe ai, sepse është përgjegjës për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, ashtu si mësuesi i tij me të cilin bën sikur zihet, por e do fort, sepse pa të nuk qëndron dot në këmbë”, shkruan Basha.