Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, prezantoi në Kuvend reformat dhe risitë e vitit të ri shkollor.
Ajo theksoi se për këtë vit, sistemi arsimor ka marrë një financim të shtuar prej 450 milionë lekësh, duke përfshirë rritjen më të madhe të pagave për mësuesit që ka pasur ndonjëherë.
Rritja mesatare e pagave për mësuesit ka arritur në 950 euro në muaj, duke u barazuar me nivelet e vendeve të rajonit.
Manastirliu përmendi gjithashtu sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve, i cili lejon avancimin më të shpejtë në gradat e “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.
Ajo shpalli gjithashtu Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i cili synon trajnimin dhe kualifikimin e 16 mijë mësuesve në vazhdim.
Në lidhje me investimet në infrastrukturë, Ministrja njoftoi se gjatë vitit 2024 janë rehabilituar dhe rindërtuar 100 shkolla, duke përfshirë 25 shkolla të reja dhe 40 kantiere në të gjithë vendin.
Këto investime synojnë modernizimin e shkollave dhe përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe stafin.
Manastirliu gjithashtu u ndal te përmirësimi i aftësive digjitale të nxënësve, duke njoftuar se janë krijuar 216 laboratorë të rinj Smart dhe se janë planifikuar të investohen 654 laboratorë të tjerë në dy vitet e ardhshme.
“Ky vit shkollor e ka gjetur sistemin arsimor më të financuar dhe sot në aktin normativ janë 450 milionë lekë që i shtohen sistemit arsimor dhe pikërisht mbështetjes me paga për mësuesit tanë.
Nëse ka sot mësues të motivuar janë nga rritja e pagave që është rritja më e lartë e bërë ndonjëherë për ta. Rritja mesatare e pagave për 31 mësues në 950 euro në muaj tashmë është në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit.
Pagat janë rritur për edukatoret në çerdhe, për punonjësit socialë dhe psikologët në shkolla dhe për oficerët e sigurisë”, tha Manastirliu, duke folur dhe për sistemin e ri të kualifikimit të mësuesve që mundëson që mësuesit jo vetëm ta përfitojnë më shpejt gradën e kualifikimit, për “Mësues Specialist”, “Mësues të Kualifikuar” dhe “Mësues Mjeshtër”.
Në këto vite falë investimit të qeverisë shqiptare ne kemi mundur që procesi i transformimit, rindërtimit dhe rehabilitimit të shkollave të jetë ai më i madhi i bërë ndonjëherë duke bërë të mundur që vetëm gjatë vitit 2024 të jenë 100 shkolla të cilat janë rehabilituar apo rindërtuar, mes tyre 25 shkolla të reja që kanë hapur dyert më 9 shtator dhe 40 kantiere në të gjithë vendin, të cilat tashmë kanë nisur për të kthyer dhe këto shkolla në standarde bashkëkohore.
Janë 216 laboratorë të rinj Smart, duke përfshirë më shumë se 35 fëmijë nga klasa e parë në klasën e tretë për të cilët synojmë që të zhvillojnë aftësitë digjitale. Dhe nëpërmjet një kredie nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, qeveria shqiptare është e angazhuar që në dy vitet e ardhshme 654 laboratorë SMART të investohen në sistetim tonë parauniversitar duke garantuar gjithashtu një kurrikul të re të Teknologjisë dhe Informacionit”, tha Manastirliu.