Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimet në ligjin për ‘Urdhrin e Mjekëve’, Koçiu: Rritje e transparencës dhe përmirësim i shërbimit


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”, të cilat sipas saj kanë për qëllim forcimin e mekanizmave të kontrollit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve mjekësore në sektorin publik për qytetarët

“Propozimi i këtyre ndryshimeve është pa dyshim një nga nismat më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë sa i përket marrëdhënies së punësimit dhe angazhimit të mjekëve në sektorin shëndetësor publik. Konkretisht këto ndryshime konsistojnë në vendosjen e rregullave të qarta për të shmangur konfliktin e interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri të ditur se “u ndalohet drejtuesve të spitaleve publike të çdo niveli që të jenë drejtues të klinikave shëndetësore private në çfarëdo niveli qofshin Këto ndryshime do të sigurojnë shërbim edhe më cilësor ndaj qytetarëve, por dhe një imazh më të pacënuar për mjekët tanë”.

Gjithashtu, vijoi Koçiu, këto amendime synojnë vendosjen e rregullave për dypunësimin e mjekëve duke përcaktuar një balancë të domosdoshme dhe të drejtë, mes punës në sistemin publik dhe atë jo publik, sigurisht pa cënuar asnjë të drejtë që kanë mjekët për dypunësimin.

“Kjo është bërë për të siguruar që prioriteti i tyre të mbetet tek shërbimet publike dhe për të përmirësuar cilësinë e këtyre shërbimeve, pa i dëmtuar pacientët që kanë nevojë për trajtim në strukturat publike. Gjithashtu, do të miratohet edhe Kodi i ri I Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore me qëllim monitorimin e plotë të rasteve abuzive dhe shkeljeve të disiplinës dhe etikës profesionale. Duke forcuar masat disiplinore deri edhe duke parashikuar masa si pezullimi dhe heqja e licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut”, nënvizoi Koçiu.

Nga ana tjetër, vijoi ministrja, kemi garantuar respektimin e procedurave të ankimimit administrativ dhe gjyqësor, duke siguruar drejtësi dhe transparencë në shqyrtimin e ankesave.

“Gjithashtu fokus i jepet autonomisë spitalore, nëpërmjet këtyre amendimeve, mjekët që punojnë në një spital me autonomi financiare, nuk do të punojnë në struktura private, pasi do të jetë vet spitali autonom që do u jap mundësinë të punojnë e shfrytëzojnë ambientet e spitalit publik, jashtë orarit zyrtar për të punuar privatisht. Nëpërmjet këtyre amendimeve synojmë rritjen e Transparencës dhe llogaridhënies duke krijuar edhe një regjistër publik elektronik për mjekët që ushtrojnë profesionin në institucione jopublike”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “amendimet e propozuara, janë në përshtatje me praktikat më të mira ndërkombëtare, si të vendeve fqinje, ashtu edhe të vendeve më të zhvilluara.

Në ligjet e vendeve fqinje të rajonit si Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, apo të Europës, si Franca e Italia, të Anglisë, Kanadasë dhe SHBA-së, ka kufizime e rregullime të qarta lidhur me dypunësimin e mjekëve”.

“Këto propozime i japin fund një situatë të trashëguar të konfliktit të interesit që gjerësisht mbizotëron në sektorin shëndetësor. Shmangin ecejaket e qytetarëve, rrisin cilësinë dhe standardet, si dhe krijojnë një mekanizëm të qartë dhe transparent për të gjithë”, shtoi ajo.