Të enjten, dy astronautë privatë nga kapsula Crew Dragon e SpaceX shënuan një moment historik, duke realizuar ecjen e parë private në hapësirë. Miliarderi 41-vjeçar Jared Isaacman dhe inxhinierja e SpaceX, Sarah Gillis, 30 vjeç, dolën nga anija kozmike në orën 6:52 të mëngjesit ET, ndërsa dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit monitoruan gjithçka nga brenda kapsulës.
Ky ekskursion historik, i transmetuar drejtpërdrejt nga SpaceX, testoi me sukses teknologji të reja, përfshirë kostume të hollë hapësinorë dhe një proces për uljen e presionit në kabinën e Crew Dragon, duke hapur rrugën për misione të ardhshme private në hapësirë.
Pavarësisht rrezikut të lartë, ecja hapësinore e planifikuar për 30 minuta zgjati plot një orë e 46 minuta, për të siguruar përgatitjen dhe përfundimin e sigurt të saj. Ky mision është pjesë e projektit ambicioz “Polaris”, të financuar nga Isaacman, i cili synon të shtyjë kufijtë e eksplorimit privat të hapësirës.
“Planeti Tokë nga këtu duket si një botë e përsosur,” u shpreh Isaacman pas përfundimit të ecjes hapësinore, teksa shihte planetin nga 700 km lartësi.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson, përshëndeti këtë arritje si një hap të madh për industrinë e fluturimeve komerciale dhe për zhvillimin e një ekonomie të gjallë hapësinore në Shtetet e Bashkuara./REUTERS