Një 54-vjeçar, identifikuar si N. M. dhe banues në Marikaj, u arrestua nga policia pasi sulmoi fizikisht mjekun e një qendre shëndetësore. Ngjarja ndodhi pasi mjeku kishte refuzuar të lëshonte një raport mjekësor për bashkëshorten e të dyshuarit pa qenë e pranishme ajo vetë.
Sipas raportit të policisë, 54-vjeçari i kërkoi mjekut një raport për gruan e tij, por kur kërkesa e tij u refuzua, ai dyshohet se e goditi mjekun me një send të fortë në kokë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 7 arrestuan shtetasin N. M., 54 vjeç, banues në Marikaj, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Ky shtetas ka shkuar në një qendër shëndetësore dhe i ka kërkuar mjekut të qendrës, shtetasit E. B., një raport mjekësor për bashkëshorten e tij.
Pasi mjeku ka refuzuar të plotësojë raportin pa qenë e pranishme bashkëshortja, shtetasi N. M. dyshohet se e ka goditur mjekun, me një send të fortë në kokë.
Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.