Mbesa e Benito Mussolini-t, tha të enjten se po largohej nga partia “Vëllezërit e Italisë” e kryeministres Giorgia Meloni sepse partia ishte shumë e djathtë, pasi kohët e fundit kundërshtoi qëndrimin e saj për të drejtat e pakicave.
Rachele Mussolini, një këshilltare e kryeqytetit në Romë, e cila fitoi më shumë vota nga çdo kandidat në zgjedhjet e fundit të këshillit në qytet në vitin 2021, tha se ajo po kalonte në grupin e “Forza Italia” që ka një qëndrim më centrist në bashkinë e kryeqytetit.
“Është koha për të kthyer faqen dhe për t’iu bashkuar një partie që mendoj se është më afër ndjeshmërisë time të moderuar dhe centriste,” tha 50-vjeçarja Mussolini për agjencinë e lajmeve ANSA, duke konfirmuar raportet e mëparshme të gazetave.
“Vëllezërit e Italisë” i kanë rrënjët tek Lëvizja Sociale Italiane (MSI), një trashëgimtare e fashistëve të Benito Musolinit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga marrja e detyrës në vitin 2022, Meloni është përpjekur ta paraqesë partinë si një grup konservator kryesor.
Forza Italia – pjesë e koalicionit qeverisës të Melonit – e paraqet veten si një parti që mbron vlerat tradicionale të krishtera, por shihet si më liberale për të drejtat civile.
Një burim politik i tha Reuters se çështjet e të drejtave luajtën një rol kyç në vendimin e Mussolinit për të ndërruar parti.
Muajin e kaluar ajo u përplas me Melonin në një mosmarrëveshje mbi gjininë e Imane Khelif, një boksiere algjeriane që luftoi kundër italianes Angela Carini në Lojërat Olimpike.