Holanda pritet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme, në mënyrë që të kufizojë numrin e azilkërkuesve që hyjnë në këtë shtet, duke e bërë atë “sa më pak atraktiv që është e mundur” për migrantët.
Ministrja për Azil, Marjolein Faber, prej krahut të së djathtës, ka thënë se një masë e tillë ia mundëson Qeverisë holandeze që të pezullojë “shumë shpejt” disa pjesë të ligjeve për azilin.
Sipas saj, Holanda do t’i ketë rregulloret më të “ashpra” në Evropë për azil dhe imigrim, dhe do të zbatojë kontrolle të rrepta kufitare.
Faber planifikon t’i kufizojë bashkimet familjare, të rrisë numrin personave që dëbohen prej shtetit nëse kanë kryer shkelje, refuzimin e azilit, dhe zvogëlimin e mundësive për të apeluar këtë vendim nëpër gjykata.
Qeveria holandeze synon të dërgojë një kërkesë në Komisionin Evropian, që të lejohet të devijojë prej politikave të BE-së për azil dhe migrim.
“Është koha për ndryshim drastik të kursit”, ka thënë Faber.
“Ne jemi duke marrë masa për ta bërë Holandën sa më pak atraktive që është e mundshme për azilkërkuesit”.
Vlerësohet që në Holandë arrijnë çdo vit rreth 40.000 azilkërkues.
Kritikët argumentojnë se një numër kaq i madh i azilkërkuesve e ka përkeqësuar krizën me hapësira të banimit.
Qeveria holandeze mund të shfrytëzojë një dekret mbretëror për të zbatuar masën e gjendjes së jashtëzakonshme në rast të ndonjë krize, dhe kështu i mundësohet të marrë vendime pa miratim në Parlament.
Kështu ka ndodhur gjatë pandemisë së koronavirusit.
Megjithatë, një vendim i tillë duhet të arsyetohet ligjërisht, dhe ekspertët ligjorë kanë thënë se kanë dilema nëse kjo shifër e azilkërkuesve – që ka mbetur stabile ndër vite – është e mjaftueshme për të shpallur vendin në krizë.
Partitë opozitare kanë reaguar ashpër, duke e quajtur planin e Qeverisë si jodemokratik.