Një letër nga Albert Einstein që paralajmëronte presidentin amerikan se Gjermania naziste mund të jetë në gjendje të zhvillojë një bombë bërthamore është shitur për gati 4 milionë dollarë, sipas shtëpisë së ankandit ‘Christie’s’.
Paralajmërimi i shkencëtarit besohet të ketë ndikuar në fillimin e projektit ‘Manhattan’ nga SHBA-ja për të hulumtuar dhe zhvilluar armë bërthamore, gjë që çoi në përdorimin e parë të bombave atomike kundër Japonisë në vitin 1945.
Drejtuar presidentit të atëhershëm të SHBA-së Franklin D. Roosevelt (FDR), dokumenti me dy faqe u shkrua dhe u nënshkrua nga fizikani në vitin 1939, javë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ajnshtajni shkroi për punën e Gjermanisë naziste në programin bërthamor, duke sugjeruar se kjo mund të çojë në ndërtimin e “bombave jashtëzakonisht të fuqishme”. Ai bëri thirrje për “veprim të shpejtë”, duke i kërkuar Uashingtonit të grumbullojë mineral uraniumi dhe të fillojë punën për armët e veta atomike.
Letra e Ajnshtajnit u zgjerua më vonë nga studenti i tij, Leo Szilard, dhe një grup shkencëtarësh të tjerë. Ajo u dorëzua në Shtëpinë e Bardhë me dorë dhe tani është pjesë e koleksionit të përhershëm të Bibliotekës dhe Muzeut Presidencial FDR në Nju Jork.
Letra e shkurtër e shitur në ‘Christie’s’ të martën është origjinalja që u ruajt nga Szilard dhe përfundoi në duart e koleksionistëve. Ajo u nxor në shitje si pjesë e një ankandi të artefakteve që i përkisnin bashkëthemeluesit të Microsoft, Paul Allen, i cili vdiq në vitin 2018 në moshën 65-vjeçare.
Ajnshtajnit thuhet se i erdhi keq për letrën për shkak të rolit të saj në nxitjes së SHBA-së që të bëhej i vetmin vend asokohe që prodhonte armë bërthamore. Ai u citua në vitin 1947 të thoshte: “Po ta dija se gjermanët nuk do të kishin sukses në prodhimin e një bombe atomike, nuk do e kisha shkruar kurrë.”