Abuzimet me çmimet po i shtyjnë disa qytetarë shqiptarë të udhëtojnë për qindra kilometra drejt vendeve fqinje për të blerë mallrat bazë të konsumit, ndërsa familjet më të pambrojtura janë detyruar të ulin konsumin.
Nga Esmeralda Topi
Prej shtatë vitesh Olgera Muka, së bashku me bashkëshortin, udhëton drejt Greqisë për të siguruar ushqimet dhe të gjitha mallrat e tjera të konsumit të nevojshme për familjen e tyre.
“Fillimisht e nisëm për cilësinë, por me kalimin e kohës kuptuam që na shkonte edhe më lirë se në Tiranë,” kujtoi Olgera.
“Bashkë me shpenzimet e karburantit dhe siguracionin e makinës, përsëri produktet që marrim kushtojnë më pak se sa në vendin tonë”, shtoi ajo.
Shqipëria është një nga vendet me të ardhurat më të ulëta në Evropë, por megjithatë çmimet për shumë produkte të konsumit të përditshëm janë ndjeshëm më lartë se në vendet e pasura të Bashkimit Evropian.
Jo të gjithë konsumatorët mund të udhëtojnë jashtë vendit për ti siguruar mallrat e shportës, në mënyrë të veçantë ato nga grupet më vulnerabël, të cilët janë detyruar ta shkurtojnë konsumin për familjet e tyre.
“Jetesa pas pandemisë është bërë shumë më e shtrenjtë,” tha Alma Morina, një nënë e vetme nga Shijaku, ndërsa shtoi se tre vitet e fundit gjithçka është shtrenjtuar.
“Unë vet s’kam qenë jashtë por të afërmit e mi që janë jashtë kur vijnë këtu thonë: Na vjen gjynah për ju, si ja dilni se këtu është më shtrenjtë se tek ne.”
Diferencat e çmimeve të ushqimeve apo mallrave të tjera të konsumit mes Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian konstatohen edhe nga konsumatorë të tjerë.
Të dhëna të mbledhura nga Faktoje nëpërmjet një ankete online nga dhjetëra qytetarë tregojnë se 87% e të anketuarve pohojnë se Evropa ka çmime më të lira se Shqipëria për ushqime dhe produkte të tjera konsumi.
Ekspertët e ekonomisë dhe studiuesit shprehen se kjo diferencë çmimesh me të cilën përballen konsumatorët vendas mund të vijë nga një sërë faktorësh objektivë, si niveli i taksave, kostot e transportit, vlerësimi i lekut ndaj euros dhe madhësia e tregut
Megjithatë, ato fajsojnë kryesisht abuzimin e kompanive tregtare që kanë vendosur oligopole në treg, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e mbrojtjes nga abuzimet të konsumatorëve .
Ilir Ciko, ekonomist shqiptar i arsimuar në Universitetin e Harvardit, thekson se diferenca në çmimet për mallrat e konsumit vjen kryesisht nga ‘varësia dhe lidhjet e politikës me interesat e bizneseve të mëdha, marrëveshjet e fshehta mes operatorëve që dominojnë tregun, korrupsioni i përhapur në institucione; si dhe pamundësia e konsumatorit për zgjedhje alternative.”
I pyetur nga Faktoje, nëpërmjet një përgjigje me shkrim Autoritetit i Konkurrencës tha se në përmbushje të detyrave të ngarkuara me ligj dhe rezolutave të Kuvendit ka ndërmarrë gjatë 5 viteve të fundit një sërë hapash për sigurimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues për produkte të shportës.
“Autoriteti i Konkurrencës, gjatë viteve të fundit, ka realizuar monitorime dhe hetime për shumë nga produktet e shportës si: vaji, gruri, mielli, orizi, sheqeri, karburante, etj,” tha Autoriteti.
“Aktualisht, në vlerësim të ankesave të publikut, janë në procedurë hetimi paraprak tregu i grumbullimit dhe shitjes me shumicë i fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, si dhe në procedurë hetimi të thelluar në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit (djathë dhe gjalpë),” shton institucioni.
Çmime më shtrenjtë se BE dhe rajoni
Çifti i bashkëshortëve Muka udhëton çdo tre muaj 7 orë me makinë nga Tirana në Kostur – një qytezë në Greqinë veriore, dhe anasjelltas për të blerë ushqimet e shportës dhe mallrat e konsumit të përditshëm. Ata nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë këtë rutinë për shkak të leverdisë ekonomike.
“Në supermarketet greke ka produkte ushqimore dhe të higjienës personale që kushtojnë edhe 4 herë më lirë se sa në supermarketet shqiptare. Po ashtu çmimet e suplementeve apo disa medikamenteve janë shumë më te lira.”, shpjegoi Olgera. “Një kokërr hekur (suplement), në Shqipëri kushton 100 lekë të reja ndërsa në Greqi 25 lekë të reja.”, shtoi ajo.
Nisur nga ky hendek në çmime profesor Ciko kreu gjatë pranverës së këtij viti një studim të gjerë duke analizuar 150 produkte nga Shqipëria dhe homologët e tyre në vendet evropiane.
Nga studimi rezulton se në pranverë të këtij viti, çmimi mesatar i produkteve në tregun shqiptar ishte rreth 80% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte – shitur nga të njëjtat kompani, në tregjet e BE-së.
“Nga lista prej 150 produktesh, diferenca më e lartë (në përqindje) rezulton për një pako ushqimi mëngjesi, cornflakes, e cila në Shqipëri shitet me një çmim 212% më të lartë, ose mbi 3 herë sa çmimi që shitet nga e njëjta kompani në vendin europian nga ajo vjen”, tha ai.
Çmimet me diferencën më të lartë studimi i vë re tek tre kategori: ushqimet për bebe, ushqimet dhe ushqimet për kafshë. Sipas të dhënave të përftuara nga studimi ushqimi për bebe, rezulton me mesataren më të lartë të ndryshimit të çmimit.
“Për këtë kategori, mesatarja e çmimeve të produkteve të shitura në Shqipëri është 147% më shumë, ose 2 herë e gjysëm sa çmimi i të njëjtëve produkte të shitura në vendin e BE nga vjen kompania që i tregton këto produkte”, shpjegoi Ciko.
Studimi vë në dukje gjithashtu se të njëjtat produkte që kanë origjinë Bashkimin Evropian, në Shqipëri janë shumë herë më të shtrenjta krahasuar edhe me vende të rajonit.
Në Serbi dhe Kosovë, diferenca e çmimeve luhatet mesatarisht më pak se 15 për qind, ndërkohë që në Shqipëri arrin 71%.
Treg oligopol
Sipas të dhënave të mbledhura nga Faktoje nëpërmjet pyetësorit online, 73% e të anketuarve shprehen se diferenca e çmimeve midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së vjen për shkak të abuzimeve, mungesës së konkurrencës në treg, si dhe mungesës së kontrollit të shtetit.
Eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj thekson se kjo situatë është tipike e një tregu oligopol, i zotëruar nga grup i vogël individësh. Sipas tij kjo reflektohet në faktin se çmimet mbeten kokëforcisht të larta edhe pse ka pasur një forcim të valutës vendase kundrejt valutave të huaja.
“Në kushtet kur rënia e valutave të huaja, me të cilat blihen këto produkte në tregjet e huaja kanë një rënie me 25%, që të paktën duhet të transmetohej deri në një 15% efekt në ulje të çmimeve të para dy viteve, nëse llogaritim koston e shtuar të fuqisë punëtore, energjisë dhe disa shërbimeve.”, tha ai.
Profesor Ilir Ciko liston një sërë faktorësh për këtë situatë, përfshirë mungesën e kontrollit, kulturën e mosndëshkimit të kompanive që abuzojnë me konsumatorin si dhe mungesën e konkurrencës në treg.
Megjithatë, ai shtoi se ky deformim i tregut ka pak gjasa të ndryshojë për shkak se konsumatorët kanë pak informacion dhe shoqëria shqiptare është pajtuar dhe bashkëjeton me të keqen.
“Mungesa e shpresës; politizimi ekstrem i çdo çështjeje publike dhe gojë-mbyllja e intelektualëve;” , përkthehet si pas tij në mungesë totale të reagimit qytetar, mungesë të mekanizmave mbrojtës dhe interesit për të mbrojtur konsumatorin nga shteti dhe pseudo-shoqëria-civile.
Vetëm pas adresimit të këtyre faktorëve, thekson profesor Ciko, mund të flasim për nivelin e taksave të konsumit, kostot e transportit, vlerësimin e lekut ndaj euros, madhësinë e tregut apo elementë të tjerë që në këtë diskutim, janë tepër dytësorë.
Elefanti në dhomë
Rritja e ndjeshme e çmimeve po i detyron familjet shqiptare të blejnë më pak ushqime.
Sipas të dhënave të anketës së Faktoje mbi koston e ushqimeve në Shqipëri dhe BE, 94% e të anketuarve pohojnë se blejnë më pak produkte se një vit më parë, ndërkohë që 76% e tyre thonë se kanë reduktuar blerjet e ushqimeve të ndryshme.
“Jam detyruar të ble më pak në sasi dhe të tregohem e kujdesshme sepse nuk më del,” tha Alma Morina. “Gjysma e rrogës që marr më duhet vetëm për ushqimet bazë, pa llogaritur asgjë tjetër,” shtoi ajo.
Profesor Ilir Ciko tregon se studimi i tij është lexuar me interes të lartë nga drejtues e përfaqësues të institucioneve që merren me konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, por ai i sheh institucionet si të pafuqishme për të bërë ndryshimin.
“Për shumë syresh studimi është si një elefant tepër i madh brenda hapësirës së komoditetit ku rrinë,” tha Ciko. “Mund të duket paradoksale por besoj se ndryshimi mund të vijë nga kompanitë, sigurisht nën presionin e zërit të qytetarëve”, shtoi ai.
Sipas Gjokutajt ulja e TVSH-së së ushqimeve është një masë që do ta lehtësonte disi situatën, por gjithsesi nënvizon se kambanat bien mbi Autoritetin e Konkurrencës. Megjithatë, pritje të zgjimit të institucione dhe kompanive shumë shqiptarë do të vazhdojnë ti drejtohen tregut në vendet fqinje.
“Në dy javët e ardhshme kam rrugën e radhës për në Kostur,” tha Olgera Muka. “Kam llogaritur që të shkoj edhe njëherë para ndërrimit të viteve”, përfundoi ajo.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Faktoje.al