Vendosni fjalën kyçe....

Situata në Veri, zv. drejtori i Policisë së Kosovës: Në raste nevoje, reagojmë


Zv. drejtori i policisë së Kosovës, Veton Elshani,, në një intervistë për “Shqipëria Live në Top Channel, tregoi situatën që po kalon Veriu.

Ai shprehet se situata është e qetë dhe se çdo gjë është nën kontroll. Gjithashtu ai tregon se ka një ndryshim të madh të situatës nga viti 2022 dhe 2024.

 

Si është situata në Veri?

Situata sigurisht është e qetë, është delikate duke marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur prej 2 vitesh. Ne jemi këtu, jemi në kontroll për sigurinë e Veriut dhe situata është e qetë.

A e keni nën kontroll Veriun?

Po, nën kontroll është. Ne nuk i parandalojmë rastet përpara se të ndodhin, por ajo që ne duhet të bëjmë është që të reagojmë nëse ndodh diçka.

Në momentin që lexohen lajme që mund të ketë sulme, a ka rritje të numrit të sigurisë?

Për çështjet operacionale ne nuk i diskutojmë. Kjo është pak më ndryshe se në Shqipëri, ne nuk i diskutojmë planet tona. Mund të them që kemi policë të mjaftueshëm. Nëse s’kemi në Veri, kemi në kufi. Reagimet tona do të varen nga situata. Planet i kemi. Banjska ka treguar një rast të tillë, por shumë shpejt kemi reaguar. I kemi zënë dhe ata në befasi me reagimin tonë. Në raste nevoje, reagojmë. Kemi numër të lartë të policëve.

Çfarë ndodhi në fundjavë në Veri?

Është paralajmëruar prej qytetarëve se do të kishte një bllokim të lëvizjes së njerëzve. Dy pika kufitare ishin bllokuar. Në momentin që është ndaluar qytetari i parë, është kthyer sërish andej dhe kemi mbyllur kufirin. Është një situatë interesante, sepse njerëzit që shkojnë më shumë në Serbi, janë qytetarët e Veriut. Kosovarë, por përkatësisht dhe njerëz të etnitetit serb. Dëmi është i qyetarëve dhe ne na vjen shumë keq, por ne i kemi marrë masat siç duhet.

A hasni rezistencë apo vështirësi me serbët në Veri?

Nuk kemi vështirësi. Kemi një komunikim dhe bashkëpunim mjaft të mirë me qytetarët, por politika është ajo që i udhëheq këta njerëz. Sidomos strukturat e shëndetësisë apo arsimit. Kur këta marrin një urdhër, ata duhet ta bëjnë atë veprim dhe ne kemi mirëkuptim për ato raste. Dëme nuk kemi.

A ka eksponentë të listës serbe që ju shkaktojnë trazira në Veri?

Nuk mund të them diçka me këtë, sepse nëse ka raste të tilla, atëherë janë nën hetim dhe nuk mund të flas për këtë.

A ndryshon diçka në Kosovë në momentin që Prokuroria Speciale shpall 45 akuza për personat që sulmuan në Banjskë?

Jo, s’ka ndryshuar asgjë. Ata kanë qenë nën kërkim, nëse i shohim ata, i arrestojmë. Ata nuk janë në Kosovë. Nëse marrim ndonjë informacion atëherë veprojmë. Çdo gjë është në rregull.

 

A është kufiri i hapur?

Po, është i hapur. Ka lëvizje. Çdo gjë është në rregull.

Kufirin me Serbinë e kontrollon policia e Kosovës apo të dyja bashkë? A ka dallim mes 2018-ës me 2024-ën me situatën në Veri?

Në kufi kemi patrullime të përbashkëta. Kemi koordinime me KFOR-in, por kemi dhe patrullime të veçanta ne si polici e Kosovës. Komunikimin me KFOR e kemi shumë të mirë. Jemi si partnerë të barabartë. Ndërsa sa i përket dallimit me situatën, unë nuk mund të bëj një krahasim përpara vitit 2022. Unë kam ardhur këtu në vitin 2022. Është si nata me dritën. Mos të hyjmë më shumë në detaje. Dallimi mes vitit 2022 dhe tani është shumë i madh.

Në Veri të Kosovës, përqindja më e madhe e atyre që qëndrojnë janë policë të shtetit të Kosovës, apo të KFOR-it?

Përgjegjës për sigurinë e vendit jemi ne. Pastaj KFOR-in e kemi këtu si partner. Normalisht kemi dhe për kufi bashkëpunimin e mirë me ta. Por përgjegjësia është e jona.

Kur ka deklarata të tilla nga pala serbe, a ka rritje të vigjilencës?

Çdo informacion që vjen në Veri ose për Veriun ne e marrim me seriozitet.

Vucic thotë që serbët janë nën terror nga policia në Veri…

Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët e vendit. Por kemi dhe urdhërat e shtetit tonë, të cilat i zbatojmë.