Vendosni fjalën kyçe....

“Ujin e kemi dhuratë nga Zoti, qeveria na futi thikë pas shpine” – Banorët e Klosit kundër dy hidrocentraleve


Banorët e fshatit Guri i Bardhë në Klos kanë zhvilluar një protestë për të kundërshtuar ndërtimin e dy hidrocentraleve  “Guri i Bardhë 1” dhe “Guri i Bardhë 2” nga kompania “Gealb Energy”.

Banorët kanë zhvilluar disa protesta ndërsa kanë dalë sërish në rrugë, duke kërkuar anulimin e lejeve. Ata kanë deklaruar se hidrocentralet dëmtojnë burimet ujore të zonës, duke u hequr ujin e pijshëm dhe atë për vaditjen e të lashtave si dhe ekosistemin.

“Ujin e kemi dhuratë nga Zoti, por atë do të na e grabisë qeveria. Kjo është thikë pas shpine. Po të bëhen hidrocentralet as dhitë s’kanë ku të pinë ujë, e jo më njerëzit”, thanë banorët.

Banorët kanë deklaruar se nuk do e lejojnë ndërtimin e këtyre hidrocentrale, për më tepër që fshati i tyre është përzgjedhur nga qeveria në listën e 100 fshatrave turistikë dhe ata synojnë të investojnë në agro-turizëm.

 “Kjo zonë ka bukuri natyrore, është çmenduri të ndërtohen hidrocentrale. Ne nuk e lejojmë shkatërrimin. Aty ku parashikohen ndërtimet është shpella e Dukës, ku mund të bëhet një atraksion i bukur turistik.”