Vendosni fjalën kyçe....

SPAK lë në burg ish-drejtorin e Policisë së Lezhës


Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në burg Henerigert Mitrin, ish-drejtorin e Policisë Lezhë, i cili është në hetim në kuadër të operacionit “Revanshi”. Mitri dhe avokati i tij nuk dhanë shpjegime në gjykatë dhe kërkuan të njihen më parë me dosjen përpara se të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit të GJKKO-së.

Bisedat e zbuluara përmes aplikacionit “Sky ECC” tregojnë se Mitri lejonte kultivuesit e kanabisit të operonin lirisht në zonë. Ai u vetëdorëzua më 11 shtator 2024, pas katër muajsh në kërkim.

Mitri, në bashkëpunim me Klodian Shahinin dhe individë të tjerë, akuzohet se ka drejtuar aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Po ashtu, sipas SPAK, ai organizonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës së bashku me Preng Gjinin.

Operacioni ‘Revanshi’, i realizuar nga SPAK dhe Policia e Shtetit, ka rezultuar në lëshimin e 50 urdhër-arresteve për individë të përfshirë në krim, ka goditur 7 grupe kriminale dhe ka zbardhur disa ngjarje të rëndësishme të viteve të fundit.