Vendosni fjalën kyçe....

Mori 9 milionë lekë nga “Rrumi”, Apeli lë në fuqi dënimin ndaj ish-avokatit të Shtetit


Në foto: Aleksandër Laho alias "Rrumi i Shijakut"

Në foto: Aleksandër Laho alias “Rrumi i Shijakut”

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me dy vite burg ndaj një prej ish-avokatëve të Shtetit, Irgen Kërçuku. Ai u dënua nga Gjykata e Posaçme pasi u gjet fajtor për korrupsion.

Sipas SPAK, Kërçuku mori 9 milionë lekë të vjetra ryshfet nga Aleksandër Laho i njohur me pseudonimin Rrumi i Shijakut.

Hetimet e prokurorisë nisën pas atentatit të dështuar ndaj Lahos dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë shoferi i Ndojës, Andi Maloku.

Në telefonin  e Lahos u gjetën të dhëna ku ai bisedonte me Kërçukun për të ndërhyrë duke tjetërsuar një sipërfaqe toke.

Kërçuku pranoi shumën për të mos shkuar në një gjyq pronash që kishte me Pal Seçunin.

Pasi mori shifrën prej 9 milionë lekësh nga Rrumi, Irgen Kërçuku nuk shkoi në gjyq duke mos apeluar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.

Njoftimi i Apelit

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare), më datë 16.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 36 akti, datë 27.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit I.K., kundër vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit I.K. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K.Penal (para ndryshimeve të ligjit Nr.43/2021) dhe dënimin e tij me 3 vite burgim.”
  2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit I.K. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 vite burgim.
  3. Vuajtja e dënimit fillon nga momenti i ekzekutimit të këtij vendimi, ku në përllogaritje të përfshihet edhe periudha e qëndrimit me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
  4. Në aplikim të nenit 35/1 të K.Penal të pandehurit I.K. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
  5. Shpenzimet proceduriale në fazën e hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
  6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim nga prokurori dhe i pandehuri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 77, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit I.K.”