Në një aktivitet të posaçëm për nderimin e Konferencës së Pezës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në politikën shqiptare, përtej ndarjeve, për të arritur integrimin në Bashkimin Europian.
Spiropali bëri thirrje për të kapërcyer ndasitë dhe për të punuar bashkë drejt një qëllimi të përbashkët, duke vënë në dukje se brezat e ardhshëm do të ndërtojnë një të ardhme të bashkuar në emër të gjakut, gjuhës dhe historisë së përbashkët.
“Unë sinqerisht e ëndërroj atë ditë. Që në të përditshmen e politikës shqiptare, pavarësisht ndarjeve reciproke në të mirë e në të këqinj, në të aftë dhe të paaftë, në të ndershëm dhe të korruptuar, në ëngjëj e banditë, në policin e mirë e policin e keq, në të majtë e të djathtë, duhet të identifikohet mbi çdo gjë tjetër se çfarë na bashkon tej kufirit që na ndan.
Çfarë na detyron që të rendim bashkë në një drejtim, të punojmë si një trup me dy krahë drejt një synimi të përbashkët?
Për çfarë motivi e arsyesh duket të heqim armët dhe të vemë në punë mendjen e shpirtin?
Për çfarë na nevojitet paqja e përkohshme, ndër luftën tonë të paprerë?
Unë e di që do të jetë shumë e vështirë të shpjegohet nesër për brezin që do të vijë se pse kemi prodhuar kaq helm e tela me gjemba në politikë; por di gjithashtu, që edhe në mos qofshim të zotë ta bëjmë ne, do ta bëjnë ata: ata do të bëhen bashkë në emër të gjakut, gjuhës, historisë dhe aspiratës sonë për të parë gjithmonë se në Shqipëri, Lind aty ku Perëndon!”- tha Spiropali.