Vendosni fjalën kyçe....

Medvedev kërcënon ta kthejë Kievin një “gropë gjigante të shkrirë”


Moska kërcënoi sërish se do e kthejë Kievin në një “gropë gjigante të shkrirë” nëse Ukraina lejohet nga aleatët e saj të përdorë raketa perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.

Kërcënimi nga Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, erdhi ndërsa SHBA-ja dhe Britania e Madhe po diskutojnë t’i japin Kievit lejen për të përdorur armë perëndimore për të sulmuar objektivat strategjikë më thellë në territorin rus.

Medvedev tha se Kremlini tashmë ka baza “formale” për të përdorur armë bërthamore pas sulmit ndërkufitar të Ukrainës në rajonin e Kurskut të Rusisë, por në vend të kësaj mund të përdorë teknologji më të reja për të krijuar një “gropë gjigante të shkrirë” në kryeqytetin ukrainas.

Moska ka treguar durim, tha Medvedev në një postim në Telegram.

“Megjithatë, imbecilët pompozë anglo-saksonë nuk duan të pranojnë një gjë: çdo durim e ka një fund.”

Në të njëjtën kohë, Medvedev tha se “një konflikt bërthamor me të vërtetë nuk i nevojitet askujt”, duke shtuar se: “Është e qartë se një përgjigje bërthamore është një vendim jashtëzakonisht i vështirë me pasoja të pakthyeshme”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe presidenti i SHBA Joe Biden, në një takim në Uashington të premten, diskutuan mbi përdorimin e mundshëm nga Ukraina të raketave “Storm Shadoë” të prodhimit britanik në tokën ruse, pa shpallur ndonjë vendim.