Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Hoxha në takimin e Procesit të Berlinit: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore në BE


Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Berlin, ku diskutoi bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mbi çështje si migracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha falënderoi Gjermaninë për përkushtimin ndaj kësaj iniciative dhe theksoi angazhimin e Shqipërisë për të forcuar bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij Procesi. Ai informoi për një sërë iniciativash të ndërmarra nga Shqipëria që kanë rritur koordinimin me partnerët ndërkombëtarë dhe janë përkthyer në objektiva kombëtare.

Ministri Hoxha propozoi krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmit kombëtar të riintegrimit. Në bashkëpunim kundër krimit të organizuar, Hoxha theksoi se janë ndërmarrë 77 operacione me partnerë ndërkombëtarë, me fokus narkotikët dhe trafikimin.

Gjatë takimit, ministri zhvilloi takime të veçanta me Zv.drejtorin e Përgjithshëm të DG Home, Oliver Onidi, dhe ministren britanike për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Angela Eagle.

Onidi vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit BE-Shqipëri kundër migracionit të parregullt, duke nënvizuar rolin kyç të Shqipërisë për sigurinë e kufijve.

Ndërsa gjatë takimit me Eagle, Hoxha vlerësoi suksesin e Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë dhe Britanisë, që ka ndihmuar në uljen drastike të numrit të migrantëve të paligjshëm drejt Anglisë.