Vendosni fjalën kyçe....

Osmani kërkon të mos merren seriozisht kërkesat e Vuçiçit: Vetëm fjalë e retorikë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiçit, të mos merren seriozisht pasi, siç tha ajo, ai nuk e do me të vërtetë rikthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por vetëm dëshiron ta tërheqë vëmendjen e Perëndimit. 

“Kur Vuçiçi flet për rithikimin e tyre serbëve në institucione, ai i prezanton ato vetëm si fjalë e retorikë për ta hequr vëmendjen e botës demokratike nga ajo që po ngjan në të vërtetë që janë përpjekjet e tij, qeverisë së tij, ushtrisë së tij, në trajnimin e vazhdueshëm të forcave paramilitare, të cilat kanë qëllim vetëm dhunën”, tha Osmani gjatë një ngjarjeje në Prishtin. 

Javën e kaluar Vuçiç bëri thirrje për riintegrimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut. 

Ai gjithashtu njoftoi më 14 shtator se ka nënshkruar marrëveshjë për rikthimin e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë. 

Osmani, gjatë deklarimit për media, përsëriti se nuk beson se këto janë kërkesa të sinqerta të Vuçiçit, por shtoi se vetë institucionet e Kosovës duhet të punojnë “që të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht etnisë, të jenë të barabartë”. 

“Kjo mosbesimi ndaj deklaratave të Vuçiçit nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në mënyrë që, në përputhje me procedurat e ligjshme ata të jenë prezent në të gjitha institucionet e Kosovës”, shtoi Osmani. 

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022. 

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës. 

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet. 

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen. 

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte quajtur këto kërkesa “jopaqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja”. 

“Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”, kishte thënë Kurti në komentin e tij të parë për thirrjet e Vuçiçit, të cilat Bashkimi Evropian i mirëpriti si një lëvizje pozitive. /REL