Banorët e disa zonave të Polonisë dhe Republikës Çeke nxituan të evakuohen të hënën ndërsa të tjerët në Evropën Qendrore filluan pastrimin pas përmbytjeve më të rënda në më shumë se dy dekada në pjesën qendrore të kontinetit. Përmbytjet kanë lënë deri tani 17 viktima dhe dëme të pallogaritshme materiale.
Zonat kufitare midis Republikës Çeke dhe Polonisë u goditën rëndë gjatë fundjavës pasi shiu i dendur që ka rënë që nga java e kaluar dhe nivelet e larta të ujit shembën disa ura, detyruan evakuime dhe dëmtuan makina dhe shtëpi.
Të paktën 17 persona kanë vdekur nga përmbytjet në Rumani, Poloni, Çeki e Austgri ditët e fundit.
Të hënën pasdite, kryetari i bashkisë Nysa, një qytet me më shumë se 40,000 banorë në Poloninë jugore, u bëri thirrje banorëve të evakuohen menjëherë pasi një pengesë mbrojtëse aty pranë u dëmtua.
Në qytetin verilindor çek të Ostravës, një pengesë e dëmtuar në lumin Odra në bashkimin e tij me lumin Opava shkaktoi përmbytje të zonës industriale të qytetit duke përfshirë fabrikën kimike ‘BorsodChem’, fabrikën e koksit ‘OKK Koksovny’ dhe të tjera. Qindra njerëz po evakuoheshin edhe nga më shumë zona të banuara.
Në qytetin çek Litovel, 70% e të cilit u zhyt nën ujë deri në një metër thellësi të hënën, banorët përshkruan frikën e tyre pasi ujërat u rritën me shpejtësi gjatë fundjavës.
“Kisha shumë, shumë frikë…Ika sepse uji po ngrihej shumë shpejt pranë shtëpisë”, tha Renata Gaborova, 39 vjeç.
“Apokalips”
Qeveria e Polonisë njoftoi gjendjen e jashtëzakonshme nga fatkeqësia natyrore në zonat e prekura dhe tha se kishte ndarë 1 miliard zloty (260 milionë dollarë) për të ndihmuar viktimat.
Kryeministri Donald Tusk tha se ishte në kontakt me krerët e vendeve të tjera të prekura dhe se ata do t’i kërkonin Bashkimit Evropian ndihmë financiare.
Szymon Krzysztan, 16 vjeç, duke qëndruar në sheshin e qytetit Ladek Zdroj, i përshkroi humbjet nga përmbytjet si “të papërfytyrueshme”.
“Është një qytet si në një apokalips…Është një qytet fantazmë,” tha ai.
Pamjet e Reuters treguan qytetin të mbushur me mbeturina dhe baltë.
“Armagedoni…Në fakt shkatërroi gjithçka, sepse ne nuk kemi një urë të vetme. Në Ladek, të gjitha urat janë zhdukur. Ne praktikisht jemi shkëputur nga bota,” tha për Reuters, Jerzy Adamczyk, 70 vjeç.
Në Jesenik, një qytet çek përtej kufirit që u përmbyt të dielën, po fillonte pastrimin pasi ujërat u tërhoqën për të treguar makina të dëmtuara dhe mbeturina në rrugë.
“Ishin dy metra ujë që kalonin nëpër rrugë…Ka shumë e shumë makina të shkatërruara”, tha banori Zdenek Kuzilek.
“Telefonat nuk punojnë, nuk ka ujë, nuk ka rrymë”.
Në Rumaninë lindore, ku fshatrat dhe qytetet u përmbytën gjatë fundjavës, Emil Dragomir, kryebashkiak i Slobozia Conachi, i tha televizionit rumun se disa njerëz kishin mbetur vetëm me rrobat e trupit.
Përgatitja
Ndërsa uji po tërhiqej në disa zona, të tjera, duke përfshirë Wroclaw, një qytet polak me rreth 600,000 banorë, po përgatitet për tjetër vërshim të ujit.
Në Rumani, përmbytjet vranë shtatë persona gjatë ditëve të fundit. Një zjarrfikës austriak vdiq të dielën. Në shtetin e Austrisë së Poshtme që rrethon Vjenën, dy burra të moshës 70 dhe 80 vjeç u gjetën të mbytur në shtëpitë e tyre, tha të hënën një zëdhënës i policisë.
Policia polake tha se katër persona vdiqën si pasojë e përmbytjeve në Poloni, dhe në Republikën Çeke tre kanë vdekur, tha një zyrtar i policisë.
Kryeqyteti i Sllovakisë Bratislava dhe kryeqyteti hungarez Budapesti po përgatiten për përmbytje të mundshme ndërsa niveli i lumit Danub është ngritur.
Ministri i Brendshëm hungarez Sandor Pinter tha se përpjekjet ishin përqendruar në mbajtjen e lumit dhe degëve të tij brenda brigjeve të tyre dhe tha se deri në 12,000 ushtarë ishin në gatishmëri për të ndihmuar.
Në Austri, nivelet e lumenjve dhe rezervuarëve ranë gjatë natës pasi shiu u zbut, por zyrtarët thanë se po përgatiteshin për një valë të dytë pasi pritej shi më i madh.