Qindra luftëtarë dhe mjekë të grupit terrorist Hezbollah në Liban u plagosën rëndë të martën, kur pajisjet e tyre të komunikimit shpërthyen, raporton Reuters, duke cituar një burim të sigurisë.
Sulmi ndodhi mes përshkallëzimeve të dhunës ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit, që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetorin e kaluar.
Një zyrtar i Hezbollahut e cilësoi këtë sulm si “shkeljen më të madhe të sigurisë” që grupi ka përjetuar në gati një vit lufte me Izraelin.
Ndërkohë, ambasadori iranian në Liban, Mojtaba Amani, gjithashtu raportohet se u plagos gjatë këtij incidenti, përcjellin mediat.
Qendra Siriane për të Drejtat e Njeriut raportoi se operativët e Hezbollahut që u plagosën u transportuan për trajtim në spitale në Damask.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin kaos në spitale të tejmbushura me viktima, ndërsa ambulancat po transportonin të plagosurit në jug të Bejrutit.
Shpërthimet ndodhën vazhdimisht edhe 30 minuta pas shpërthimeve fillestare, duke përhapur panik të gjerë. Ekipet mjekësore në Liban bënë thirrje për donacione gjaku dhe për personelin mjekësor të kthehen menjëherë në spitalet e tyre për të përballuar fluksin e madh të të plagosurve.
Hezbollah dhe Izraeli janë përfshirë në shkëmbime të vazhdueshme zjarri që prej sulmeve të 7 tetorit, të nisura nga Hamasi ndaj Izraelit, megjithëse janë përpjekur të shmangin një përshkallëzim të madh të luftës.