Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heton importet e uraniumit nga Kina mes shqetësimeve se mund të vijë nga Rusia


 

Administrata e Presidentit Joe Biden po heton një rritje të ndjeshme të importeve të uraniumit të pasuruar nga Kina që prej fundit të vitit 2023, për shkak të shqetësimeve se këto dërgesa po ndihmojnë Moskën të anashkalojë ndalimin e importit të këtij lënde nga Rusia, lajmëron agjencia Reuters.

Në dhjetor të vitit 2023, Kongresi amerikan miratoi një ndalim për importin e uraniumit të pasuruar nga Rusia, në kuadër të përpjekjeve për të ndërprerë financimin e luftës së Presidentit Vladimir Putin në Ukrainë.

Që nga ky vendim, importet e uraniumit nga Kina u rritën në mënyrë drastike, duke arritur 242,990 kilogramë (535,700 lb) në atë muaj, ndërkohë që gjatë periudhës 2020-2022 Kina nuk kishte dërguar asnjë sasi uraniumi të pasuruar në SHBA.

Në maj të vitit 2024, pas nënshkrimit të ndalimit nga Biden, Kina dërgoi sërish një sasi të madhe uraniumi, që këtë herë arriti 123,894 kilogramë (273,139 lb).

Hetimi po fokusohet në mundësinë që Kina mund të përdorë uraniumin e pasuruar të importuar nga Rusia për të anashkaluar ndalimin amerikan.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Energjisë deklaroi se agjencitë përkatëse po monitorojnë nga afër këto importe për të siguruar zbatimin e duhur të aktit të ndalimit të importeve nga Rusia.

Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë nëse Kina dhe vendet e tjera po përfshijnë uranium të prodhuar nga Rusia në këto dërgesa.

Çështja po ngjall shqetësime në industrinë amerikane të uraniumit, pasi çdo anashkalim i ndalimit mund të minojë përpjekjet e SHBA për të reduktuar varësinë nga karburantet bërthamore ruse dhe për të ndërtuar një zinxhir furnizimi të brendshëm për uraniumin.

Kjo situatë gjithashtu ngre pyetje për rritjen e rolit të Kinës në tregjet ndërkombëtare të uraniumit të pasuruar, veçanërisht pasi Kina ka rritur importet e uraniumit nga Rusia gjatë viteve të fundit për të mbështetur ndërtimin e reaktorëve të saj të rinj.