Ndalimi i importit të mishit të derrit nga Brazili, për shkak të përafrimit të legjislacionit shqiptar me BE-në, do të shtyhet deri në fund të 2025-s.
Kompanitë përpunuese të mishit (EHW, KMY, HAKO,FIX, TONA) në letrën dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Biznesit, përveç heqjes taksës 10% të importit të mishit, kërkuan edhe shtyrjen e ndalimit të importit të mishit të derrit nga Brazili.
Në letër kompanitë pohojnë se mishi i derrit është lënda e parë kryesore për industrinë përpunuese, por për fat të keq mundësia e tregut vendas për të furnizuar ndërmarrjet përpunuese është zero.
“Në këto kushte burimi kryesor i furnizimit ka qenë importi nga Brazili. Sot çmimet e blerjes në Europë, SHBA dhe Kanada janë rreth 35-38% më të larta se ato të tregut brazilian. Për pasojë, mbyllja e importit nga Brazili do të çonte në një rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit dhe rritje të çmimeve të produkteve në masën 10- 20%”, veçohet në letër.
Në kuadër të përafrimit të legjislacionit europian për anëtarësimin e vendit në BE, ligji për kontrollet zyrtare i planifikuar të miratohej brenda vitit 2024, është shtyrë të përfundojë brenda vitit 2025.
Zbatimi i ligjit të ri për kontrollet zyrtare përfshin angazhimet e Shqipërisë për ndryshimin e marrëveshjeve tregtare me vendet jashtë BE-së, përfshirë edhe mishin e derrit që importohet nga Brazili.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë në takimin bilateral në Nëntor 2023, Komisioni Europian bëri të ditur se jo vetëm legjislacioni i acquis të BE-së do të transpozohet i plotë në legjislacioni kombëtar por edhe implementimi i tij duhet të jetë i njëjtë me shtetet anëtare përpara ditës së anëtarësimit.
“Shqipëria u angazhua në Takimin Bilateral se Marrëveshjet me vendet jashtë BE-së që përmbajnë “dispozita tregtare” do të ndryshohen ose anulohen në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare.
Këtu përfshihet edhe importi i mishit të derrit nga vende jashtë BE-së të cilët nuk kanë stabilimente të miratuara nga BE për eksport të mishit të derrit në vendet e BE-së dhe do të aplikohet pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për kontrollet zyrtare, sqaroi për Monitor Ministria e Bujqësisë.
Për shkak të politikave të mbrojtjes së tregjeve, veçanërisht të tregut gjerman që është ndër prodhuesit më të mëdhenj të mishit të derrit, BE ka ndaluar importin e mishit të derrit nga vendet jo anëtare. Mishi i derrit që importohet nga Brazili, vjen nga stabilimente të licencuara nga vende jo anëtare. Ndërsa në pikat hyrëse në vend kryhen kontrollet laboratorike me bazë risku sipas modelit të BE-së.
Po ashtu qëllimi i përmirësimit të legjislacionit shqiptar ka në fokus rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit. Një nga prioritetet është përafrimi i standardeve të sigurisë ushqimore me ato të përcaktuara në legjislacionin e BE-së.
“Kjo do të thotë që jo vetëm standardet tona të prodhimit, përpunimit, shpërndarjes dhe tregtimit të produkteve ushqimore do të rriten dhe do të jenë të njëjta me ato në BE-së por edhe kontrolli, për të garantuar konsumatorin për sigurinë e produkteve që konsumojnë, do të pësoj të njëjtin proces për gjatë të gjithë zinxhirit ushqimore nga ferma në tavolinë.
Në këtë kuadër, të gjitha marrëveshjet që përmbajnë “dispozita tregtare” që Shqipëria ka aktualisht me vendet jashtë BE-së por që nuk janë në të njëjtën linjë që ndjek BE-ja, duhet të rishikohen”, sqaron Ministria e Bujqësisë.
Në fillim të vitit 2025, do të filloj një projekt i BE-së për sigurisë ushqimore, ku një ndër mbështetjet që do i japë Shqipërisë do të jetë edhe vlerësimi, kategorizimi dhe përditësimi i standardeve të stabilimenteve ushqimore.
Nga ana tjetër sipas Ministrisë së Bujqësisë, ky projekt do të jetë një ndihmesë e madhe për operatorët e biznesit ushqimor për përmirësimin e standardeve dhe sjelljen e tyre në standardet e kërkuara nga BE-ja për eksportin e produkteve që ata prodhojnë.
Për muajt janar-gusht sipas të dhënave të INSTAT, importet e grupit “Mish dhe të brendshme të ngrënshme” u kryesuan nga të hyrat e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme nga Brazili. Importet e Brazilit zunë 28% të totalit të 7-mujorit.
Importet e mishit nga SHBA zunë 20% të totalit të importuar. E ndjekur nga importet e Greqisë me 19% të totalit dhe Italisë me 10%. Ndërsa e importet e ardhura nga shtetet e tjera europiane si Polonia dhe Gjermania pesha e tyre ishte përkatësisht 4% dhe 3%./D.Azo
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor