Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me diplomat false te Wisdom, reagon Evis Kushi: MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve


Ish-ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar pas përfshirjes së saj në dosjen italiane për skandalin e akreditimit të Kolegjit Universitar Wisdom.

Sipas dokumenteve, pretendohet se Kushi është joshur me dhurata për Krishtlindje. Ajo i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se asnjëherë nuk ka pranuar apo shkëmbyer dhurata kortezie në raste festash.

Kushi sqaroi se Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve, duke nënvizuar se akreditimi bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh vendas dhe të huaj.

Ajo shtoi se në kohën kur ka drejtuar ministrinë, nga shtatori 2020 deri në shtator 2023, nuk ka pasur asnjë lloj shkëmbimi dhuratash me përfaqësues të institucioneve arsimore.

Reagimi i Evis Kushit

Në lidhje me disa abuzime të bëra nga disa media gjatë ditës së sotme, mbi hetimet e dosjes italiane për mashtrimet me diploma të Universitetit Wisdom, dua t’ju sqaroj se:

Në dosje ka një paragraf ku thuhet:

“Ia vlen të përmendim që në vazhdim të dhuratave Catalano Lucia e Cianci Savino përpiqen të përgatisin dhe të dhurojnë dhurata simbolike në kuadër të festës së Krishtlindjes (shporta) për ambasadorin, përfaqësues të ambasadës, ministre, zv. ministre, shefes së kabinetit, zyrës së matrikullimit dhe zyrës së akreditimit”.

Dua të ndaj qëndrimin tim me opinionin publik se Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion dhe në rastin tim si ish drejtuese e këtij institucioni, MAS nuk është pjesë e procesit të akreditimit të universiteteve apo programeve të studimit në asnjë hap të procesit.

Akreditimi i institucioneve arsimore bëhet nga një bord i pavarur ekspertësh, vendas dhe të huaj, të zgjedhur me një konkurs të hapur.

Si titullare e këtij institucioni për periudhën shtator 2020 – shtator 2023, edhe pse ngrihen dyshime në media, nuk kam shkëmbyer asnjëherë dhurata kortezie për urime festimesh me simbolika të tilla.