Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mesazh lamtumire për Gerti Bogdanin: Përfaqësues brilant i brezit të ri, patriot i vërtetë


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim në nderim të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta sot pas një arresti kardiak.

Në fjalimin e tij, Berisha e ka cilësuar Bogdanin si një nga politikanët e rinj që ka kontribuar shumë për demokratët, qytetarët dhe Shqipërinë.

Berisha shprehu dhimbjen dhe respektin e tij, duke e përshkruar Bogdanin si një mik të rrallë dhe fisnik që i dha krenari familjes, shoqërisë dhe vendit.

Ai theksoi se Bogdani ishte një udhëheqës i ndershëm dhe i përkushtuar, i njohur për talentin dhe pasionin e tij për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.

Në përfundim, Berisha premtoi se Gerti Bogdani do të mbetet përjetë në kujtimet e të gjithëve që e njohën dhe e vlerësuan.

Fjalimi i plotë:

Sonte ne mblidhemi këtu në zi dhe dhimbje të thellë.

Të shokuar sepse sot ne të gjithë kemi humbur njërin prej nesh.

Njërin nga drejtuesit e shquar të PD-së, që e kemi dashur, e kemi respektuar dhe çmuar si një mik të rrallë, fisnik, që na jepte nder të gjithëve.

Po, për Gerti Bogdanin papritmas dhe krejt para kohe, në moshën më të bukur, në kulmin e rinisë së burrit, të forcës dhe maturisë së tij, dielli perëndoi sot përgjithmonë.

I dashur Gerti, ike dhe u ndave nga ne dhe ti do mungosh shumë jo vetëm fëmijëve, bashkëshortes së nderuar, prindërve të dashur, por i sigurt si rrallë kush tjetër edhe të gjithë atyre që të kanë njohur, që kanë punuar me ty, atyre që ti ke drejtuar apo që kanë pasur fatin dhe kanë gëzuar miqësinë tënde.

Gerti, ti ike, por ti nga fëmijëria e hershme gjer sot, bëre sa askush tjetër krenar familjen, prindërit e tyre, bashkëshorten, fëmijët, bashkëmoshatarët e tu në shkollë, tiranasit e tu, brezin tënd, demokratët dhe demokratet, mijëra e mijëra të rinj që i drejtove me talent dhe pasion të PD-së.

Të gjithë ata shqiptarë apo miq të huaj që punuan me ty, në shkolla Gerti Bogdani, në Tiranë apo Nju Jork, ishte më i pari ndër të parët dhe u laureove me medalje të arta.

Por më të artë se çdo gjë tjetër ti kishe atë harmoni që Zoti i madh rrallë e dhuron njeriut, harmoninë midis pamjet dhe shpirtit.

Kishe fisnikëri, civilitetin, ndershmërinë, maturinë, të cilat të bënin ty një bir shembullor, një prind dhe bashkëshort, qytetar, mik dhe shok të pashembullt.

Udhëheqës të dashur të të rinjve demokratë, qeveritar, deputet dhe përfaqësues i përkushtuar dhe dinjitoz i qytetarëve të Tiranës.

Gerti Bogdani ishte një prej politikanëve të rinj që i kushtoi vitet më të mira të jetës demokratëve, qytetarëve dhe Shqipërisë.

Ai ishte përfaqësues brilant i brezit të ri, patriot i vërtetë që midis shumë e shumë mundësive, zgjodhi të ndihmojë Shqipërinë.

Me një peshë të madhe në zemër, me një boshllëk në shpirt, ne përjetojmë sonte largimin tënd.

Por gjithashtu ne të premtojmë se do jesh i pavdekshëm, do jesh i përjetshëm në kujtimet tona dhe të të gjithë atyre që të kanë njohur.