Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dorëzuar një deklaratë në Prokurori më 12 shtator, ku kërkon që të falen 7 personat që e kishin kërcënuar për shkak të detyrës së tij.
Duka i ka kërkuar organit të akuzës që, pas shfaqjes së pendesës nga autorët e kanosjes, të falë presidentin e klubit Iliria, Nazmi Selmanin, Brajan Selmanin, Santiago Selmanin, Petrit Selmanin, Adolf Selmanin, Artur Selmanin dhe Redian Locin.
“Duke marrë në konsideratë shprehjen e pendesës së tyre dhe të familjarëve të tyre, dëshiroj të shpreh faljen time për shtetasit: Nazmi Isuf Selmani, Brajan Nazmi Selmani, Santiago Nazmi Selmani, Redian Haxhi Loci, Petrit Petrit Selmani, dhe shtetasit Adolf Nazmi Selmani dhe Artur Luan Selmani” shprehet Duka në deklaratën e tij, raporton News24.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka kërkuar që deklarata e tij për faljen e 7 personave të konsiderohet gjatë hetimeve, për të shmangur konflikte dhe për të promovuar vlerat e FSHF-së.
Duka i ka kërkuar organet kompetente që të marrin parasysh këtë kërkesë për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës dhe në përmirësimin e imazhit të FSHF-së.
Më 30 gusht, Policia e Durrësit arrestoi presidentin e klubit të futbollit Iliria, Nazmi Selmani, dhe katër persona të tjerë, pas një kallëzimi nga Duka për kërcënim nga Selmani lidhur me grumbullimin e djalit të tij në Kombëtare. Sot, Apeli ka liruar Nazmi Selmanin dhe Petrit Selmanin, ndërsa tre të tjerët ishin liruar më parë.