Katër zona minerare të reja janë nxjerrë për interes nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për subjekte që duan të përfitojnë përmes procedurave konkurruese shfrytëzimin e tyre.
Në një shkresë të fundit Ministria ka dhënë detaje mbi këtë garë, ku operatorët do të duhet të paraqesin ofertat si dhe të respektojnë kushtet sa i takon vlerave minimale të investimit si dhe prodhimit.
Ajo që bie në sy këtë herë është që zonat e disponueshme janë të dedikuara për shfrytëzim të materialeve ndërtimore në qarqe të ndryshme. Por cilat janë në fakt këto zona sipas MIE?
E para është zona minerare Nr. 407, Gjirokastër, lloji i mineralit gëlqeror pllakor, veprimtaria shfrytëzim. Kushtet e vendosura për këtë zonë janë që vlera minimale e investimit vjetor të jetë 200 mijë euro, sasia minimale e prodhimit 1000m3 teksa rezervat në ton të kësaj zone llogariten në 415 mijë ton/m3.
Zona minerare e dytë është ajo Nr. 420/1 në objektin “Përroi i Vishës”, Himarë, Qarku Vlorë dhe lloji i mineralit gur gëlqeror me veprimtari shfrytëzim. Kushtet e vendosura për këtë zonë janë që vlera minimale e investimit vjetor të jetë 150 mijë euro, sasia minimale e prodhimit 10.000 m3 teksa rezervat në ton të kësaj zone llogariten në 890 mijë ton/m3.
Zona e tretë minerare Nr. 122/7 në objektin “Pashkashesh”, Tiranë, Qarku Tiranë, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim. Kushtet e vendosura për këtë zonë janë që vlera minimale e investimit vjetor të jetë 150 mijë euro, sasia minimale e prodhimit 10.000 m3 teksa rezervat në ton të kësaj zone llogariten në 3.2 milionë ton/m3.
Zona minerare e katërt është ajo me Nr. 22/33, Objekti “Gjorma”, Qarku Elbasan, lloji i mineralit gur gëlqeror, veprimtaria shfrytëzim. Kushtet e vendosura për këtë zonë janë që vlera minimale e investimit vjetor të jetë 150 mijë euro, sasia minimale e prodhimit 10.000 m3 teksa rezervat në ton të kësaj zone llogariten në 3 milionë ton/m3./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor