Gerti Bogdani, ish deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë ndërroi jetë mesditën e sotme për shkak të një arresti kardiak.
Burime nga urgjenca e QSUT-së bëjnë me dije se 44 vjeçari ka mbërritur në spital pa shenja jete.
‘Janë bërë tentativa për të risjellë në jetë por nuk ka reaguar’ bëjnë me dije burimet.
Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe është babai i dy fëmijëve, Ajrës dhe Reinartit.
Kush ishte Gerti Bogdani?
I lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë Bodgani pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Aëard – ‘Medalje Ari’.
Më pas u rikthye në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e Neë Yorkut –Tiranë. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ai kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton. Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.
Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.
Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023.
Gjatë gjithë karrierës në Shqipëri dhe jashtë vendit, Gerti ka qënë një mbështetje e fortë dhe e vazhdueshme të nismave politike dhe qytetare në mbrojtje të vlerave, trashëgimisë së Tiranës, lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, duke organizuar nisma të shumëllojshme më të rinjtë dhe diasporën shqiptare.
Gerti Bogdani është i njohur si një nga personalitetet më me integritet në politikën shqiptare, me vlera familjare dhe i përkushtuar në punën e tij, me energji dhe vizion në sjelljen e risive dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet e komunitetit që ka përfaqësuar.