Vendosni fjalën kyçe....

Zbërthehet “Ghost”, qindra të arrestuar e bastisje në Australi, Angli, Itali, Suedi e Irlandë


Dhjetra njerëz janë arrestuar si pjesë e një hetimi në një rrjet të koduar mesazhesh të njohur si “Ghost”, i pari i këtij lloji që dyshohet se administrohet nga një australian dhe një platformë e trumbetuar si “e pahakerueshme”.

Jay Je Yoon Jung, një shtetas australian 32-vjeçar nga Narwee në jug të Sidneit, u arrestua dhe u akuzua të martën për gjoja krijimin dhe drejtimin e platformës.

Jung u arrestua rreth orës 4 të mëngjesit. Policia federale australiane (AFP) tha se ishte e rëndësishme që oficerët të hynin shpejt në shtëpi për të sekuestruar materialet e dyshuara.

“Ekipet tona ishin në gjendje ta arrestonin atë dhe disa pajisje në më pak se 30 sekonda,” tha zyrarja e AFP-së, Kirsty Schofield.

AFP u informua për “Ghost” nga autoritetet ndërkombëtare në vitin 2022 dhe nisi “Operacionin Kraken”. Gjatë të martës dhe të mërkurës, si rezultat i hetimit, deri në 50 persona pritej të arrestoheshin në Australi, me bastisje pothuajse të njëkohshme policore në Irlandë, Itali, Suedi dhe Kanada.

Që nga mëngjesi i së martës, 38 persona ishin arrestuar në Australi. Shumica e kriminelëve të supozuar ishin në Uellsin e Ri Jugor, por AFP tha se përdoruesit e Ghost ishin gjithashtu në Victoria, Australinë Perëndimore, Australinë e Jugut dhe ACT.

AFP pretendon se qindra kriminelë, duke përfshirë anëtarë të bandës së motoçikletave dhe anëtarë të krimit të organizuar italian, të Lindjes së Mesme dhe Koresë – kanë përdorur Ghost në Australi dhe jashtë shtetit për të “importuar drogë të paligjshme dhe krime të tjera”.

Jung nuk aplikoi për lirim me kusht në gjykatë të mërkurën dhe do qëndrojë në paraburgim përpara se çështja të kthehet në nëntor. Ai përballet me pesë akuza, përfshirë mbështetjen e një organizate kriminale.

Zëvendëskomisioneri i AFP-së, Ian McCartney, pretendoi se rrjeti ishte krijuar “për t’u përdorur vetëm nga kriminelët për të lehtësuar krimin” dhe tha se Jung ishte “i shtyrë nga fitimi në punën e tij”.

“Ka qenë hera e parë që ne kemi identifikuar dikë që ka filluar aplikacionin në Australi dhe është hera e parë që kemi ndërmarrë një arrestim dhe një akuzë të një individi në lidhje me këtë.”

Policia pretendon se Jung krijoi rrjetin nëntë vjet më parë kur ai ishte 23 vjeç. McCartney e përshkroi Jung si një “kompjuterist” pa histori kriminale dhe që jeton me prindërit e tij.

Platforma kishte qenë “në rritje të ngadaltë gjatë dy viteve të fundit”, por kishte filluar të fitonte më shumë abonentë, tha McCartney. Ajo ishte tregtuar te përdoruesit si “një rrjet i pahakerueshëm”.

Në mars, AFP projektoi një “zgjidhje teknologjike” për të hyrë në platformë dhe për të dekriptuar pajisjet – iPhone të modifikuar që u shitën për 2,350 dollarë së bashku me një kosto abonimi gjashtëmujor.

Ndërsa administratori i supozuar nisi përditësimet e softuerit, AFP ishte në gjendje t’i modifikonte ato përditësime dhe të kishte qasje në përmbajtjen e pajisjeve në Australi.

“Në fakt ne i infektuam pajisjet, duke na mundësuar të hyjmë në përmbajtjen e pajisjeve australiane,” tha McCartney.

Kishte 376 pajisje aktive në vend që nga e marta, me më shumë se 7,200 pajisje të ofruara globalisht gjatë gjithë jetës së platformës. AFP ka mbyllur efektivisht platformën, e cila do çmontohet kur të përfundojnë hetimet.

AFP tha se kishte parandaluar 50 “kërcënime për jetën” që kur fitoi qasje në mars, duke përfshirë gjithçka, që nga sulmet me armë dhe zhvatja deri te rrëmbimi. Schofield tha se në një rast AFP pa një pamje në platformën e një personi me një armë zjarri në kokë.

Schofield e përshkroi platformën si lehtësimin e “të gjithë gamës së veprimtarisë kriminale”, me të identifikuar edhe raste të dhunës në familje.

I pyetur se çfarë mund të ketë ndodhur në platformë përpara se AFP të fitonte qasje gjashtë muaj më parë, McCartney tha: “Ne nuk kemi njohuri për këtë”. Ai tha gjithashtu se AFP është në dijeni të platformave shtesë të mesazheve të koduara që përdoren nga rrjetet e dyshuara kriminale, por nuk mund të jepte hollësi.

AFP ka përdorur më parë aplikacionin e koduar An0m për të drejtuar fshehurazi një goditje globale ndaj krimit, që po kundërshtohet në gjykata mbi ligjshmërinë e përgjimit të mesazheve.

McCartney tha se “Operacioni Kraken” ishte i ndryshëm sepse ndërsa “An0m” ishte krijuar nga AFP dhe FBI, “Ghost” ekzistonte tashmë, kështu që “ishte aftësia e AFP-së për të deshifruar ato mesazhe”.

“Legjislacion i ngjashëm, por një qasje e ndryshme në mënyrën se si e kemi bërë atë,” tha ai.

“A do të përballemi me sfida në gjykatë? Unë mendoj se po, por mendoj se kjo është natyra e punës sonë.” – theksoi ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani