Diplomatët e lartë perëndimorë do të takohen të enjten në Paris mes përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës dhe për të parandaluar shndërrimin e tensioneve përgjatë kufirit Izrael-Liban në një konflikt më të madh.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po merr pjesë në bisedimet me homologët e tij nga Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, pas një ndalese më parë në Egjipt për diskutime mbi mënyrat për të çuar përpara negociatat për konfliktin në Rripin e Gazës.
Sekretari Blinken tha të mërkurën se është bërë përparim në një propozim për marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës gjatë muajit të fundit, por tani Izraeli dhe Hamasi duhet të tregojnë “vullnet politik” për të arritur një marrëveshje mes tyre.
“Në marrëveshje janë 18 paragrafë, për 15 prej tyre është rënë dakord. Por çështjet e mbetura duhet të zgjidhen”, tha zoti Blinken gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kajro me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.
Zoti Abdelatty u tha gazetarëve përmes një përkthyesi se Hamasi ka konfirmuar angazhimin e tij të plotë ndaj marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 27 maj dhe ndaj ndryshimeve të bëra më 2 korrik.
Bisedimet disamujore të zyrtarëve amerikanë me Egjiptin dhe Katarin, që po ndërmjetësojnë negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, nuk kanë sjellë një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve. Negociatat janë përqendruar në një propozim që përfshin ndërprerjen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve, që ende po mbahen nga militantët e Hamasit në Rripin e Gazës.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët amerikanë janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti.
Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mund të ndikohen nga shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve komunikuese “pager” dhe radiove të dorës të anëtarëve të grupit militant Hezbollah në Liban.
Shpërthimet ndodhën disa orë pasi Izraeli njoftoi zgjerimin e objektivave të luftës së tij kundër Hamasit, duke përfshirë edhe operacionet për kthimin e banorëve të Izraelit verior në shtëpitë nga të cilat ata u evakuuan për shkak të përleshjeve mes trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësimin e tij për sulmin, të cilin dyshohet se e ka kryer Izraeli.
“Është e logjikshme të mendohet se shpërthimi i këtyre pajisjeve është një veprim, që mund t’i paraprijë një operacioni të madh ushtarak”, u tha ai gazetarëve në Nju Jork. “Po aq të rëndësishme janë shenjat se kjo ngjarje konfirmon praninë e rrezikut serioz të një përshkallëzimi dramatik në Liban. Duhet bërë gjithçka për të shmangur këtë përshkallëzim.”
Hezbollahu, një aleat i Hamasit, filloi sulme pothuajse të përditshme ndaj Izraelit menjëherë pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Grupi i Hezbollahut, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, ka thënë se do t’i ndalë sulmet vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi për Gazën. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore.
Takimi i OKB-së
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të mërkurën që i bën thirrje Izraelit t’i japë fund pushtimit të tokave palestineze brenda një viti. Rezoluta gjithashtu u bën thirrje vendeve të “ndërmarrin hapa” drejt përfundimit të furnizimit të Izraelit me armë, që mund të përdoren në zonat palestineze.
Rezoluta u miratua me 124 vota pro, 14 kundër dhe 43 abstenime.
Rezoluta e hartuar nga delegacioni palestinez është një përpjekje për të shfrytëzuar prirjen pozitive të krijuar nga opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lëshuar në korrik, i cili thekson se aneksimi dhe pushtimi i territoreve palestineze është i paligjshëm dhe ligjet dhe politikat diskriminuese të Izraelit kundër palestinezëve “përbëjnë aparteid”.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit ndërkombëtar dhe paqes së drejtë dhe të qëndrueshme në rajonin tonë”, tha i dërguari palestinez Riyad Mansour. “Kjo kërkon garanci që të njëjtat rregulla të zbatohen për të gjithë. Të mos ketë asnjë paragjykim apo standarde të dyfishta. Dhe të mos ketë asnjë përjashtim.”
Izraeli kritikoi opinionin e gjykatës dhe ambasadori i tij u kërkoi vendeve të OKB-së të mos e mbështesnin rezolutën.
“Ky është një vendim i turpshëm që mbështet terrorizmin diplomatik të Autoritetit Palestinez”, tha ambasadori Danny Danon përmes një deklarate pas votimit.
Shtetet e Bashkuara votuan kundër rezolutës.
“Kjo rezolutë nuk ofron asnjë shpresë apo rrugë përpara”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield. “Miratimi i saj nuk do të shpëtojë jetë palestineze, nuk do t’i kthejë pengjet në shtëpi, nuk do t’i japë fund vendbanimeve izraelite dhe nuk do të ringjallë procesin e paqes”, shtoi ajo gjatë diskutimit mbi rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese, por ato mbajnë peshën e komunitetit ndërkombëtar.
Hamasi shkaktoi konfliktin me sulmin e tij të tetorit 2023 në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Në kundërofensivën e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 41,200 palestinezë. Izraeli thotë se në mesin e të vrarëve janë mijëra militantë të Hamasit./VOA