Vendosni fjalën kyçe....

Dy vende afrikane do ushqejnë të uriturit me mish elefanti mes thatësirës kërcënuese


Zyrtarët e Zimbabvesë kanë njoftuar se qindra elefantë do vriten për të ushqyer popullatën e vendit, e cila po vuan nga uria e rëndë. Autoritetet në Namibinë fqinje kanë marrë një vendim të ngjashëm në përgjigje të kërcënimeve të urisë të shkaktuara nga thatësirat e zgjatura në rajonin e Afrikës Jugore.

Tinashe Faraëo, zëdhënëse e Autoritetit të Parqeve dhe Kafshëve të Egra (ZimParks), i tha Reuters të martën se rreth 200 elefantë të egër do theren në gjithë vendin dhe mishi i tyre do shpërndahet në komunitetet e prekura nga thatësira.

“Ne jemi duke punuar në mënyrat si do e bëjmë atë,” tha Faraëo. Ajo shtoi se gjitarët do gjuheshin në zona ku numri i tyre është rritur përtej kufijve të zakonshëm.

Zimbabveja dhe Zambia janë ndër vendet e Afrikës Jugore më të goditura nga thatësira e shkaktuar nga El Nino, që ka shkaktuar dështim të të korrave.

Në prill, Zimbabveja shpalli një fatkeqësi kombëtare në përgjigje të krizës, të cilën e përshkroi si më të keqen në 40 vjet. Në maj, Harare raportoi se më shumë se gjysma e qytetarëve të vendit do kërkonin ndihmë ushqimore këtë vit. Presidenti Emmerson Mnangagëa njoftoi në atë kohë se qeverisë së tij i duhen 2 miliardë dollarë ndihmë për të ushqyer miliona njerëz që përballen me urinë.

Zimbabveja ka popullsinë e dytë më të madhe të elefantëve në botë me rreth 100,000, pas Botsvanës, që ka mbi 130,000 gjitarë që jetojnë në territorin e saj, sipas Fondacionit Afrikan për Jetën e Egër.

Në fund të muajit të kaluar, Namibia fqinje tha se do vriste 723 kafshë të egra, duke përfshirë 83 elefantë, 30 hipopotamë, 60 buaj, 50 impala, 100 elande dhe 300 zebra dhe do t’ua shpërndajë mishin mijëra njerëzve.