Fëmijët deri në moshën 15 vjeç duhet të marrin statina për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve serioze të zemrës në të ardhmen, kanë sugjeruar ekspertët kryesorë të zemrës.
Rekomandimet befasuese janë një përgjigje ndaj gjetjeve të një studimi të ri që zbuloi se shenjat paralajmëruese të sulmit në zemër dhe goditjes në tru mund të vërehen tek adoleshentët.
Ekspertët e Universitetit të Kembrixhit zbuluan se kolesteroli i lartë ose i luhatshëm në fëmijëri rrit rrezikun e një gjendjeje të lidhur me sëmundjen e zemrës të quajtur aterosklerozë.
Ateroskleroza është një ngushtim i arterieve për shkak të një grumbullimi të depozitave yndyrore me kalimin e kohës, të cilat shkaktojnë bllokime në furnizimin me gjak, duke shkaktuar sulme në zemër dhe goditje potencialisht vdekjeprurëse.
Profesor Ziad Mallat, kardiolog dhe autor i studimit, tha se zbulimi sugjeron që barnat si statinat të kontrollojnë kolesterolin tek adoleshentët nëse ‘masat e stilit të jetesës kanë dështuar’.
Duke eksperimentuar fillimisht me minjtë, ekipi i Kembrixhit ushqeu dy grupe brejtësish me një dietë të pasur me yndyrë, e cila dihet se rrit kolesterolin e ‘keq’, me ndërprerje ose në mënuyrë të vijueshme.
Profesor Mallat, një ekspert i Fondacionit Britanik të Zemrës (BHF) në mjekësinë kardiovaskulare në Kembrixh, tha: “Kur pyeta grupin tim dhe një numër njerëzish që janë ekspertë në aterosklerozën, askush nuk mund të më thoshte se cili do ishte rezultati. Disa njerëz menduan se nuk do kishte asnjë ndryshim, të tjerë menduan se do e ndryshonte rrezikun. Në fakt, ajo që zbuluam ishte se një dietë periodike me yndyrë të lartë që nisi ndërsa minjtë ishin ende të rinj, një javë, disa javë pushim, një javë tjetër, e kështu me radhë, ishte alternativa më e keqe për sa i përket rrezikut të aterosklerozës.”
Luhatja mund të jetë e rrezikshme për shkak të mënyrës se si ndikon në qelizat imune mbrojtëse të njohura si makrofagë arterialë rezidentë, të cilët ndryshojnë në fazat e hershme të aterosklerozës.
Studimi sugjeron se kolesteroli i lartë periodik mund të parandalojë që këto qeliza të bëhen mbrojtëse dhe në vend të kësaj mund të përshpejtojë sëmundjen.
Studiuesit, të cilët publikuan gjetjet e tyre në revistën “Nature”, më pas analizuan të dhënat nga studimi i rrezikut kardiovaskular te finlandezët e rinj, një studim afatgjatë që gjurmon rreziqet e zemrës nga fëmijëria deri në moshën madhore.
Më shumë se 2,000 njerëz të rekrutuar gjatë viteve 1980, midis moshës 3 dhe 12 vjeç, iu nënshtruan ekografive të arterieve karotide kur ishin rreth moshës 30 dhe më pas përsëri në rreth 50 vjeç.
Analiza e ekipit zbuloi se ata me nivele të larta të kolesterolit, përmes testeve të gjakut si fëmijë, kishin më shumë gjasa të kishin grumbullimin më të madh të pllakave në arterie.
Profesor Mallat tha: “Ajo që do të thotë kjo është se ne nuk duhet ta lëmë atë për më vonë në jetë, para se të fillojmë të shikojmë nivelet tona të kolesterolit. Ateroskleroza potencialisht mund të parandalohet duke ulur nivelet e kolesterolit, por ne duhet të fillojmë të mendojmë për këtë shumë më herët në jetë sesa mendonim më parë.”
Ai gjithashtu tha për MailOnline se rezultatet sugjeruan që Britania duhet të mendojë për rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e kolesterolit të lartë në fëmijëri dhe ndërhyrjen.
“Studimet tona sugjerojnë që ne duhet të mendojmë për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për ndikimin e dëmshëm të niveleve të larta të kolesterolit edhe herët në jetë. Rritja e ndërgjegjësimit është hapi i parë, pastaj kjo mund të pasohet më vonë duke vendosur programe mbikëqyrjeje në një moshë shumë më të hershme sesa bëhet tani.”
Ai sugjeroi se adoleshenca, nga mosha 15 deri në 18 vjeç, mund të jetë një kohë për të filluar këtë ekzaminim, duke pasur parasysh të dhënat që sugjerojnë se kjo periudhë ishte ‘e ndjeshme’ për ndryshime të tilla.
Profesor Mallet shtoi se pasi të vendoset rreziku, mund të rekomandohen ndërhyrje në stilin e jetës si plane diete, me ilaçe si statinat gjithashtu masa të tjera nëse këto masa rezultojnë të pasuksesshme.
“Përsa i përket trajtimit, masat e stilit të jetesës janë të rëndësishme, zakonet ushqimore, stërvitja fizike etj. Statinat dhe barnat e tjera për uljen e lipideve mund të jepen në rast të dështimit të masave të stilit të jetesës”, tha ai.
Disa fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar tashmë u përshkruhen statina që nga mosha 10 vjeç.
Por kjo është e kufizuar për ata me një çrregullim të njohur gjenetik të quajtur hiperkolesterolemia familjare, e cila shkakton një grumbullim të lartë të kolesterolit të keq në trup.
Është një gjendje gjenetike relativisht e zakonshme që prek 1 në çdo 250 njerëz. Ndërsa rreth 270,000 britanikë e kanë këtë, shumë njerëz nuk e dinë se po jetojnë me të.
Profesor Bryan Ëilliams, zyrtari kryesor shkencor dhe mjekësor në BHF, tha: “Një person pranohet në spital me një atak në zemër ose goditje në tru çdo tre minuta në Britani. Në shumicën e rasteve kjo shkaktohet nga ateroskleroza, grumbullimi i materialit yndyror brenda arterieve. Ky studim i ri emocionues, i financuar nga BHF, ofron njohuri të reja në proceset biologjike pas zhvillimit të sëmundjes së enëve të gjakut.”
Më e rëndësishmja, studimi sugjeron se rritja e kolesterolit, jo vetëm nivelet e larta të vazhdueshme, mund të shkaktojnë ndryshime në enët e gjakut, duke i nxitur ato për zhvillimin e aterosklerozës.
“Me fillimin e këtij procesi herët në jetë, këto gjetje përforcojnë rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të niveleve të kolesterolit që në moshë të hershme për të parandaluar më mirë sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru më vonë në jetë.”
Statinat janë një nga barnat që merren më shpesh në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 8 milionë britanikë që konsumojnë pilula për uljen e kolesterolit çdo ditë.
Nivelet e larta të kolesterolit konsiderohen si një rrezik kryesor për sëmundjet kardiovaskulare, një nga vrasësit më të mëdhenj në Britani.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë rreth një në katër të të gjitha vdekjeve në Britani, rreth 170,000 vdekje çdo vit. Rreth 480 vdekje në ditë, ose një në çdo tre minuta sipas BHF.