Gjykata ka vendosur që gazetari Bledian Koka të gjykohet në një çështje të veçantë nga biznesmeni italian Gabrielle Tarroni Longhinotti. Ky rast ka filluar pas denoncimit të Erion Veliajt për shpifje, pas një interviste të Koka-s me Tarronin në emisionin “Piranjat”, ku u diskutuan lidhjet e kryebashkiakut me aferën e inceneratorëve.
Gjatë procesit, Veliaj u tërhoq nga padia pa dhënë shpjegime, por më vonë e rihapi çështjen. Deri tani, të pandehurit ishin gjykuar së bashku, një praktikë që është konsideruar e pakuptimtë, pasi gazetari nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për pyetjet që i drejton të intervistuarit. Veliaj akuzoi të dy palët dhe i ngarkoi përgjegjësi të barabartë.
Me vendimin e gjykatës për të gjykuar çdo palë në çështje të veçanta, do të vlerësohet nëse kjo padi është një rast SLAPP, e ngritur për të intimiduar dhe ndaluar mediat në punën e tyre.
Kujtojmë se Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur gazetarin e SYRI TV, Bledian Koka, pas një interviste të këtij të fundit me italianin Gabriele Tarroni Longinotti, ish-ortak i Alberto Presezzi-t, i përfshirë në aferën e inceneratorit të Tiranës. Koka e cilësoi padinë e Veliajt si medalje për të dhe SYRI TV dhe sipas tij ka qenë një tentativë e tij për intimidimin e medias.