Vendosni fjalën kyçe....

Hendeku në prodhim, eksportet e ushqimeve në rënie, importet në rritje


Të dhënat nga tregtia me jashtë tregojnë se sektori bujqësor po ndeshet me vështirësi për të plotësuar kërkesën e brendshme dhe të jashtme.

Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme referojnë se eksporti i ushqimeve dhe pijeve alkoolike në vlerë shënoi rënie me 8.8% në janar -gusht 2024 dhe në të njëjtën periudhe importet u rritën me 9.1%.

Për 8 mujorin e këtij viti ekonomia humbi rreth 33 milionë euro të ardhura nga eksporti i ushqimeve dhe pijeve në raport me një vit më parë dhe gjithashtu ekonomia shqiptare nxori jashtë vendim më 1.4 miliardë euro për importin e ushqimeve 91 milionë më shumë se në 8 mujorin e vitit të kaluar.

Deficiti tregtar në grupin e ushqimeve dhe pijeve u zgjerua me 18 për qind në 8 mujor. Importet e ushqimeve ishin 3 herë më të lartë se eksportet. Ky raport në 8 mujorin 2023 ishte 2.5.

Rritja e importeve po kthehet në trend. Vitin e kaluar, Shqipëria importoi 1,1 milionë tonë ushqime, ose 102 mijë tonë më shumë se në vitin 2022, me rritje vjetore 10%. Të dhënat më të detajuara tregojnë se, rritja më e madhe e importeve gjatë vitit 2023 në sasi ishte për drithërat, ndërsa këtë vit për zarzavatet.

Importet po rriten nga zhvillimet në turizëm dhe nga reduktimi i prodhimit vendas, por sektori i turizmit nuk po ndikon pozitivisht në prodhimin vendas, pasi një pjesë e mirë e vlerave monetare po ikën sërish jashtë vendit për importin e lëndës së parë. Turizmi është në shans i mirë për bujqësinë nëse konsumi i tij lidhet me prodhimin.

Drejtuesit e njësive të agro-turizmit në vend vënë në dukje se oferta ushqimore ndaj turistëve duhet të jetë me prodhim vendas, pasi edhe kërkesa e tyre është e tillë. Turistët ndër të tjera kërkojnë receta tradicionale të bazuara në prodhim vendas. Por është e qartë se me zhvillimet aktuale në bujqësi, prodhimet tona nuk arrijnë të përmbushin kërkesën e turistëve, duke bërë që këta të fundit të bëhen shkak për rritjen e importeve.

Shqipërisë iu deshën gati dy dekada për të konsoliduar markën “Made in Albania”, e cila po shkatërrohet shumë më shpejt se sa u ngrit.

Kanalet e importit të ushqimeve janë rizgjuar dhe po intensifikohen, duke dekurajuar edhe më tepër fermerët dhe blegtorët të ushtrojnë profesionin e tyre. Zbrazja e fshatrave nga popullsia po tkurr sipërfaqet e mbjella në fusha në disa kultura dhe, nga ana tjetër, turizmi po nxit rritjen e kërkesës për produkte ushqimore. Për të plotësuar nevojat ushqimore, vendi po i drejtohet importit, i cili po rritet me shpejtësi kohët e fundit./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor