Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin për shkarkimin e prokurores së Elbasanit, Zena Lila. Ajo kishte kaluar shkallën e parë të procesit të Vettingut, por KPA gjeti se arsyetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për pasurinë e saj ishte i pabazuar në ligj dhe prova.
Trupi gjykues, i përbërë nga Ina Rama, Mimoza Tasi, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, vendosi me shumicë votash të ndryshojë vendimin e KPK-së, duke e shkarkuar Zena Lilen nga detyra.
” Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”,- shkruhet ne njoftm.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 8/2024, datë 06.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 729, datë 10.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Zena Lila.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 729, datë 10.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Zena Lila.
– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 19.09.2024.