Vendosni fjalën kyçe....

“Flota hije” që transporton gazin e sanksionuar të Rusisë – Bloomberg


Vizatimet me lapsa në murin e apartamentit pak të mobiluar tregojnë se është një shtëpi e zakonshme familjare. Por divani i vetëm, karrigia plastike rozë dhe biçikleta e fëmijëve errësojnë diçka tjetër: një përbërës jetik në përpjekjet ruse për të anashkaluar sanksionet e SHBA-së për energjinë. Dhe ndodhet 144 kilometra në juglindje të qytetit indian të Mumbait.

Që nga qershori, apartamenti ka qenë adresa e regjistruar e “Ocean Speedstar Solutions”. Kompania e inkorporuar në Mumbai ofron mbështetje thelbësore për një flotë ruse në hije të cisternave që eksportojnë gaz natyror të lëngshëm nga një object i rëndësishëm mbi rrethin Arktik. Me raste, disa nga anijet kanë maskuar vendndodhjen e tyre teksa luajnë një lloj kukafshehthi tejet të rrezikshëm me autoritetet amerikane.

Apartamenti banohet nga Nikhil Ganesh Ghorpade, një fotoreporter pa asnjë lidhje të mëparshme me industrinë e energjisë. Ai thotë se u bind nga një mik që të regjistronte emrin dhe adresën e tij të shtëpisë në emër të kompanisë dhe është renditur nga një regjistër zyrtar indian si drejtori i vetëm i “Ocean Speedstar”.

Duke rënë dakord, ai padashur iu bashkua një rrjeti tejet të ndërlikuar që shtrihet nga Dubai në Indi dhe Kinë, që po përdoret për të krijuar një flotë të fshehtë të transportuesve të gazit për të transportuar lëndën djegëse nga fabrika ruse 21 miliardë dollarëshe në “Arctic LNG 2”.

“Ndërlikoni, ngatërroni dhe vononi,” thotë Kjell Eikland, drejtor menaxhues i “Eikland Energy AS”, i cili ka punuar në industrinë e naftës dhe gazit për më shumë se 30 vjet, për strategjinë e Rusisë.

“Rusët kanë ndërtuar në mënyrë efektive një rrjet kontakti individësh. Dhe ata gjejnë individë që kanë nevojë për para. Ndërkohë Rusia po bën të gjitha planifikimet, kalendarin, shitjen eventuale.”

Presidenti rus Putin ka miratuar objektin “Arctic LNG 2”, që doli në qarkullim në dhjetor, si një projekt prestigji kombëtar. Është një mundësi për të shfaqur teknologjinë e vendit, por gjithashtu kërkon të provojë se sanksionet perëndimore – të vendosura pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022 – nuk do ndalojnë tregtinë e vendit.

Analiza e Bloomberg për të dhënat e kompanisë, pamjet satelitore dhe informacionin e gjurmimit të anijeve tregon shtrirjen të cilën Moska duket se është e gatshme të përshkojë për të kapur pjesën e tregut. Në afat të shkurtër, ajo mund të sigurojë njëfarë fitimi gjatë luftës, por qëllimi përfundimtar i qeverisë ruse është të trefishojë eksportet e LNG-së deri në vitin 2030 si një nga shtyllat e ekonomisë pas luftës – veçanërisht pas humbjes së Evropës si konsumatori kryesor i gazit.

Rëndësia e LNG-së për ekonominë u shpreh nga Putin në një fjalim vitin e kaluar kur filloi dorëzimi i prodhimit të parë në objektin e Arktikut. Projekte të tilla “sigurojnë një efekt gjithëpërfshirës për të gjithë ekonominë, na lejojnë të fitojmë pjesën që na nevojitet në tregun global të LNG-së dhe na lejojnë të zhvillojmë industritë fqinje”, tha ai.

Që nga pushtimi i Ukrainës, industria ruse e naftës ka arritur të ndërtojë një të ashtuquajtur “flotë hije” prej qindra anijesh për të transportuar naftën e saj të kufizuar. Deri tani, vlera bruto e eksporteve të saj të naftës së papërpunuar nga deti ka qenë rreth 210 miliardë dollarë në pikën e ngarkimit, bazuar në të dhënat e gjurmimit të anijeve të përpiluara nga Bloomberg dhe çmimet e eksportit të naftës së papërpunuar ruse të ofruara nga Argus Media.

Moska tani duket se po imiton të njëjtën strategji me LNG-në.

Uashingtoni është përgjigjur duke vendosur me shpejtësi sanksionet, duke përfrocuar luftën tregtare mbi LNG-në midis Rusisë dhe SHBA-së, që janë furnizuesit kryesorë në botë. “Arctic LNG 2” u vendos nën sanksione në nëntor 2023 para se të kishte filluar prodhimin. Blerësit, të shqetësuar për të mos rënë në kundërshtim me kufizimet e SHBA-së, janë paralajmëruar për gazin nga fabrika në fjalë dhe dërgimi i anijeve të specializuara që mund të përshkojnë ujërat e akullta është ndalur.

Gazi është bllokuar efektivisht në Arktik.

E futur në cep të ringut, Rusia po ndërmerr hapa gjithnjë e më të dëshpëruar dhe potencialisht të rrezikshëm në përpjekje për të mbajtur rrjedhjen e karburantit, madje duke ofruar zbritje të mëdha për të bindur klientët ngurrues, sipas njerëzve me njohuri për këtë çështje. Bloomberg foli me më shumë se dy duzina tregtarë të LNG-së, zyrtarë të kompanisë dhe agjentë të anijeve. Të gjithë kërkuan të mos identifikoheshin.

“Putin e pranon se tregu i LNG-së është malli më i rëndësishëm në 10 deri në 15 vitet e ardhshme,” thotë Maximilian Hess, autor i “Lufta Ekonomike: Ukraina dhe Konflikti Global midis Rusisë dhe Perëndimit”, “dhe ai dëshiron që Rusia të luajë një rol në atë treg.”

“Simboli i një Rusie të ringjallur”

Moska ka shpresa të mëdha për “Arctic LNG 2”, impianti më i madh i gazit në Rusi, i cili mund të prodhojë deri në 20 milionë ton karburant në vit. Ndërtimi në shkallë të gjerë filloi në 2019 me synimin për të kapur një pjesë më të madhe të tregut në Azi, ku kërkesa është vendosur të rritet me 40% deri në vitin 2030.

Rusia ka një ambicie të kontrollojë 20% të tregut global deri në fund të dekadës, krahasuar në vetëm 8% vitin e kaluar. Kjo e vë atë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me furnizuesit amerikanë, të cilët presin të dyfishojnë totalin e eksporteve të LNG-së këtë dekadë. Të dy e shohin Kinën, blerësin më të madh në botë, si një klient kyç.

Pasi inxhinierët perëndimorë u tërhoqën pas pushtimit të Ukrainës, “Novatek PJSC” – kompania private që zotëron 60% të sipërmarrjes që menaxhon “Arctic LNG 2” – duhej të përfundonte ndërtimin ndërsa po përpiqej të çante shtegun e saj për kufizimet tregtare. Braktisja e punës nuk ishte një mundësi.

“Të heqësh dorë nga “Arctic LNG 2” nuk do të thotë thjesht mbyllje ose vonesë e një projekti,” thotë Malte Humpert, themelues i Institutit Arktik me bazë në Uashington, “është simbolike për një Rusi të ringjallur.”

Objektet ekzistuese të LNG-së të vendit – duke përfshirë Yamal dhe Sakhalin-II – nuk janë të sanksionuara dhe vijojnë të funksionojnë normalisht duke shpërndarë karburant rus në Azi dhe Evropë, gjë që ka ndihmuar në shmangien e mungesës globale të gazit.

Zyrtarët e qeverisë ruse tani po kërkojnë tregje për LNG-në e prodhuar nga nga “Arctic 2”, përmes një rrjeti kompanish të ngarkuara me krijimin e një flote anijesh dhe blerësish të gatshëm për të filluar eksportet nga objekti i mbyllur, sipas njerëzve me njohuri për strategjinë. Zëdhënësi i Putinit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nëse qeveria është e përfshirë në krijimin e një “flote hije” LNG.

Ekzekutivët nga Novatek ishin në Mumbai në shkurt duke u takuar me kompanitë e transportit detar, thanë njerëzit. Novatek ka hapur edhe një zyrë në Kinë për të gjetur klientë të rinj, sipas njerëzve. “Novatek” dhe Leonid Mikhelson, shefi ekzekutiv i saj, janë përballur me sanksionet e SHBA-së për afërsisht një dekadë pasi kompania u godit me kufizime në 2014 në përgjigje të aneksimit të Krimesë nga Moska.

Vetë “Novatek” nuk akuzohet nga Uashingtoni për shkelje të sanksioneve, por krahu i saj kinez, “Novatek China Holdings”, u sanksionua nga SHBA në gusht për marketingun e gazit nga projekti “Arctic LNG 2”.

“Marrëdhënia mes Mikhelson dhe Putin është e ngushtë. Ata takohen rregullisht, siç tregojnë edhe videot dhe transkriptet zyrtare”, thotë Eikland.

As drrejtuesit e “Arctic LNG 2” apo “Novatek” nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Bloomberg. Një njoftim për shtyp i lëshuar nga “Novatek” më 10 shtator mohoi se kompania ishte e përfshirë në krijimin ose menaxhimin e “flotës së errët”, duke i përshkruar sugjerime të tilla si “të pavërteta”.

Falsifikimi, mashtrimi, zbrazja e zyrave

Përpjekjet për të ndërtuar një “flotë hije” filluan seriozisht në mars 2024. “Nur Global Shipping” me bazë në Dubai bleu disa transportues më të vjetër gazi që ndryshe do ishin dërguar për skrap. “Nur” tërhoqi vëmendjen nga tregtarët e LNG-së duke paguar më shumë se 50 milionë dollarë secili për disa anije, një çmim jashtëzakonisht i lartë për anijet që janë të vjetra dhe që nuk përputhen me standardet më të fundit mjedisore, thonë tregtarët dhe agjentët e anijeve, të cilët kërkuan të mos përmendeshin.

Adresa e përdorur nga “Nur” është hoteli “Meydan” i vendosur në një zonë të tregtisë së lirë në Dubai, që më parë është kritikuar nga SHBA dhe disa zyrtarë lokalë për mungesën e transparencës. “Nur” nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe nuk kishte një përfaqësues në adresën e tij – një hapësirë ​​​​të përbashkët pune në hotel – kur Bloomberg e vizitoi.

Faqja e internetit e “Nur” është e regjistruar në “South Oil Trading”, një kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe me një licencë biznesi që ka skaduar në vitin 2022. Faqja e internetit e “South Oil” është e regjistruar në një firmë tjetër, “Caran Energy”, e cila është gjithashtu me bazë në Dubai.

Asnjëra kompani nuk iu përgjigj kërkesave për koment. “Caran Energy” hoqi faqen e saj të internetit pasi u kontaktua nga Bloomberg. Adresa IP e “Caran” lidhet me disa adresa të rrjetit rus, gjë që është e pazakontë për kompanitë që operojnë jashtë Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas David Tannenbaum, drejtor në “Blackstone Compliance Services”, që ndihmon kompanitë në shmangien e sanksioneve dhe ka gjurmuar veprimtarinë e “flotës hije”.

“Nur” mblodhi një koleksion prej pesë anijesh, me dy të ardhura nga “JOVO Group”, një importues kinez i LNG-së, sipas agjentëve të anijeve, tregtarëve dhe informacioneve nga një bazë të dhënash transporti. Blerjet janë bërë përmes pesë kompanive. Një nga anijet quhej “Pioneer” dhe deri vonë kishte dërguar kryesisht karburant në Azinë Verilindore, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve. “JOVO” nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Toby Dunipace, partner dhe kreu global i LNG në agjentët e anijeve SSY, thotë se Nur “nuk ekzistonte në radarin tim deri këtë vit”. Duke shtuar se: “Rreziku i shitjes së anijes tuaj dhe lidhja me një flotë të errët ruse është një gjë. Por nëse kompensohet nga një rritje e konsiderueshme e çmimit, atëherë ky është një faktor tjetër se pse njerëzit po mendojnë ta bëjnë atë.”

Interesi i tregtarëve të LNG-së u zgjua kur “Pioneer” po lëvizte në brigjet veriore të Norvegjisë në mes të korrikut. Anija, e shitur te “Nur” rreth prillit, po lundronte me zigzage  në Detin Barents, duke mbajtur pothuajse të njëjtën shpejtësi dhe drejtim në çdo cep, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve.

Tregtarët besojnë se anija po falsifikonte vendndodhjen e saj në një proces të quajtur “mashtrim” – duke e bërë të duket në sistemet e gjurmimit dixhital se anija ishte në një vend, kur në të vërtetë po shkonte drejt terminalit të eksportit të “Arctic LNG 2”.

Pamjet satelitore të marra më 1 gusht konfirmojnë se anija u ankorua në objekt, e para që e bënte këtë gjë. Me radhë, dy anije të tjera – “Asya Energy” dhe “Everest Energy” – u ankoruan në objekt, sipas analizës së Bloomberg të pamjeve satelitore, ndërsa falsifikuan vendndodhjen e tyre të gjurmimit të anijeve duke treguar sikur ishin në Detin Barents. “Asya Energy” kishte kaluar muaj jashtë brigjeve të Omanit, ndërsa “Everest Energy” erdhi nga Malajzia.

Të tre anijet menaxhohen nga “Ocean Speedstar Solutions” – kompania e regjistruar në Ghorpade. Ajo nuk pranoi të komentojë mbi operacionet e saj. Adresa e saj tregtare – e ndarë nga shtëpia e Ghorpade – renditet si një ndërtesë në Mumbai e dominuar nga operatorët e transportit detar. Kur Bloomberg vizitoi zyrën, ajo ishte e zënë nga një qiramarrës tjetër dhe ata që punonin atje thanë se nuk kishin dëgjuar kurrë për “Ocean Speedstar”.

Randhir Jaisëal, zëdhënës në Ministrinë e Jashtme të Indisë, që ndihmon në formulimin e politikës së jashtme, thotë se vendi nuk ndjek sanksionet e njëanshme. Ai nuk komentoi në mënyrë specifike mbi rolin që kompanitë indiane mund të luajnë në lehtësimin e tregtisë së “Arctic LNG 2”.

Natyra e errët e këtij rrjeti e bën praktikisht të pamundur gjurmimin e anijeve tek pronarët e tyre përfundimtarë.

“Ne jemi të vendosur të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën për të zbehur ato burime, dhe në veçanti, për të bërë gjithçka që mundemi për të penguar të ardhurat dhe projektet e ardhshme të energjisë të Rusisë të cilat janë të përqendruara në energjinë e ardhshme, siç është “Arctic LNG 2.” – tha Geoffrey Pyatt, zyrtari më i lartë i energjisë i Departamentit të Shtetit të SHBA.

“Kjo është një zonë ku SHBA-ja ka një shkallë më të lartë të lirisë së lëvizjes sepse ne jemi një prodhues shumë i madh i LNG-së.”

Të paktën dy pronarë anijesh LNG dhe disa agjentë anijesh kundërshtuan të bënin biznes me “Nur”, sepse nuk e kaloi procesin e transparencës së duhur nga kompania e tyre, sipas tregtarëve dhe ndërmjetësve me bazë në Dubai. Megjithatë, “Nur” ishte në gjendje të gjente partnerë të gatshëm dhe marrëveshjet u lehtësuan nga agjentë më të vegjël të paidentifikuar të transportit me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indi, thonë tregtarët dhe ndërmjetësit.

Menjëherë pasi “Nur” bleu anijet, menaxhimi i tyre iu transferua “Ocean Speedstar” dhe një firmë tjetër me bazë në Mumbai, “Plio Energy Cargo Shipping”, sipas Equasis, një bazë të dhënash globale të transportit. Pesë kompanitë e përdorura për blerjen e anijeve më pas ndryshuan adresat e tyre në zyrat e Mumbait të “Ocean Speedstar” dhe “Plio Energy”, tregojnë të dhënat e Equasis.

“Plio Energy”, si “Ocean Speedstar” i inkorporuar në qershor, është gjithashtu i regjistruar në një apartament modest larg qendrës së zhurmshme të biznesit të Mumbait. Pronari i “Plio”, Karishma Amit Paëar, nuk pranoi të komentonte kur Bloomberg iu afrua.

“Ndërsa ne nuk jemi të përfshirë në këto transaksione, ajo që është e qartë është se kompania që blen në Dubai është në fakt vetëm një ndërmjetës për të shmangur kontrollet e sanksioneve,” thotë Dunipace. “Çfarë ndodh pas kësaj? Kjo është kur zbret errësira.”

Dimri dhe sanksionet po afrohen

“Arctic LNG 2” ka eksportuar vetëm pesë dërgesa që nga fillimi i gushtit dhe ende nuk i ka dorëzuar karburantin një blerësi. Ka dy ngarkesa gati në një njësi magazinimi lundruese të sanksionuar pranë Murmansk. Tre të tjerët janë në tranzit.

Nuk janë vetëm sanksionet e SHBA-së që kërcënojnë tregtinë, por edhe koha po ikën. Anijet e “flotës hije” janë të pajisura për të përshkuar ujërat e Arktikut vetëm deri në fund të tetorit, kur akulli i trashë do e bëjë të pamundur lëvizjen. Dhe pavarësisht përpjekjeve për të blerë anije akullthyese dhe për të ndërtuar të tyren, nuk është e qartë nëse Rusia do t’i ketë ato në kohë për të vijuar udhëtimet e “flotës hije”.

Dy dërgesat e fundit u larguan në shtator. Të dy janë në rrugën e tyre për në Azi përmes Rrugës së Detit Verior përmes Arktikut, sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve. Anijet tradicionale LNG shmangin rrugën nga frika e përplasjes me ajsbergët.

“Marrja e një anijeje kaq të vjetër, të papërshtatshme nëpërmjet Rruga së Detit Verior sugjeron se “Arctic LNG 2” po i shtërrojnë mundësitë,” thotë Tom Marzec-Manser, kreu i analitikës së gazit në konsulentin e energjisë ICIS.

“Duket se këto janë kohë të dëshpëruara për “Arctic LNG 2” dhe kështu ata po përdorin masa të dëshpëruara.”

Mijëra kilometra larg, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vëzhguar nga afër dërgesat e “Arctic LNG 2”. Vetëm disa javë pasi anijet e para u ankoruan në terminal, SHBA njoftoi sanksione kundër tre prej tyre duke përfshirë “Pioneer”, së bashku me “Ocean Speedstar”, katër anije të tjera dhe njësinë kineze të “Novatek”.

“Ky është një ritëm i paparë,” thotë Humper nga Instituti Arktik.

Rreth 48 orë më vonë, më 25 gusht, pamjet satelitore treguan “Pioneer”-in e saposanksionuar duke tentuar një transferim të rrallë në det të hapur nga anije në anije – që është më e vështirë se sa për naftën – në një anije që ende nuk ishte goditur me kufizime, “Neë Energy”, në pronësi të “Plio Energy”. SHBA sanksionoi “Plio” dhe dy nga anijet e saj, duke përfshirë “Neë Energy”, më 5 shtator.

Rusia, megjithatë, vijon të ecë përpara. “Arctic LNG 2” po vijon të ndërtojë fazën e dytë të objektit të tij, edhe pse sanksionet kërcënojnë të përmbysin fazën e tretë dhe të fundit. Drejtuesit e “Novatek” po udhëtojnë nëpër botë për të gjetur përdoruesit fundorë për LNG-në e sanksionuar dhe kanë ndjekur marrëveshje të shumta në Kinë dhe me blerës të tjerë aziatikë, sipas tregtarëve dhe zyrtarëve të kompanisë që folën në kushte anonimiteti. Edhe pse ata po ofrojnë karburantin me një zbritje prej 40%, klientët potencial – shumica e të cilëve blejnë gjithashtu LNG nga SHBA – ngurrojnë të blejnë pasi rrezikojnë goditje nga Uashingtoni.

Putini mbetet i vendosur.

“Ne do zhvillojmë biznesin e lëngëzimit të gazit,” i tha ai Forumit Ekonomik Lindor në shtator.

“Ata po përpiqen të na krijojnë probleme dhe Mikhelson e di këtë më mirë se kushdo tjetër”, tha ai, duke iu referuar shefit  të Novatek.

“Ne do ta bëjmë këtë pavarësisht çdo vështirësie që ata po përpiqen të krijojnë për ne,” shtoi ai.

*Me ndihmën e Ruth Liao, Iain Marlow, Anthony Di Paola, Sudhi Ranjan Sen, Greg Sullivan, Adrian Leung dhe Julian Lee

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani