Kuvendi miratoi sot me 74 vota pro, 0 kundër dhe 1 abstenim projektligjin për ndryshimin e ligjit 60/2023, që trajton studentët e programit të integruar të studimit të Mjekësisë.
Ky ligj u riaktualizua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi pjesërisht ligjin ekzistues për shkak të afatit 5-vjeçar, duke e konsideruar atë jo-proporcional.
Qeveria propozoi që ky afat të ulet në 3 vite për studentët që nisin rishtas, në 2 vite për ata në vitin e dytë deri në të katërt, dhe në vetëm 1 vit për ata në vitin e pestë dhe të gjashtë.
Opozita nuk ishte e pranishme në këtë seancë, për shkak se PD shpalli ditë zie për ish-deputetin Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Në fillim të seancës, deputetët mbajtën një minutë heshtje për nder të tij, pas së cilës opozita u largua nga salla.
Seanca zgjati vetëm 45 minuta dhe kaloi pa debate, duke miratuar gjithashtu edhe pikat e tjera të rendit të ditës.