Rreth 1,000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajonin verior italian të Emilia-Romagna gjatë natës, pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut shkatërruese, ndërsa qeveria e ekstremit të djathtë e Giorgia Melonit u akuzua për mungesë vullneti për t’u përballur me krizën klimatike.
Përmbytjet u shkaktuan nga stuhia Boris, e cila më parë kishte shkaktuar dëme në Evropën qendrore dhe lindore, duke vrarë të paktën 24 persona.
Disa qytete të mëdha në Evropën Qendrore po përgatiten për lumenjtë që priten të arrijnë kulmin të enjten, përcjell The Guardian.
Shirat e dendur kanë përmbytur të njëjtat zona të Emilia-Romagna që u prekën rëndë nga përmbytjet në maj 2023, të cilat vranë 17 persona dhe shkaktuan 8.5 miliardë euro dëme. Shkollat janë mbyllur, linjat hekurudhore janë ndërprerë dhe disa rrugë janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut.
Zjarrfikësit kanë kryer më shumë se 500 operacione shpëtimi në rajon, përfshirë përdorimin e helikopterëve për të shpëtuar njerëzit nga shtëpitë e përmbytura.
“Në jemi në një situatë emergjente… ngjarja është shumë e ngjashme me atë që ndodhi në maj,” tha Michele De Pascale, kryetari i Ravenna-s, për Radio 24.
Nuk ka raporte për vdekje nga përmbytjet e fundit, të cilat kanë prekur gjithashtu pjesë të rajonit fqinj të Marche-s. Megjithatë, zemërimi po rritet mes banorëve për ngadalësinë e punimeve për të mbrojtur rajonin nga përmbytjet.
Një banor në Faenza, një qytet në provincën Ravenna, tha në një video të përgatitur nga agjencia italiane Local Team: “Shtëpia ime është shkatërruar përsëri. Është turp; politikanët nuk bëjnë asgjë.”
Shirat ekstreme po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë avull uji, ndërsa faktorët njerëzorë, si planifikimi i mbrojtjes nga përmbytjet dhe përdorimi i tokës, janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm.
Italia është një nga pikat më të rrezikuara nga klima në Evropë. Vetëm këtë verë, ajo ka përjetuar valë të paprecedenta të nxehtësisë, thatësira, zjarre, stuhi dhe përmbytje të rënda.
Angelo Bonelli, udhëheqës i partisë së majtë Alleanza Verdi e Sinistra, të enjten i kërkoi Melonit të shpjegonte strategjinë e qeverisë së saj për përballjen me krizën klimatike.
“Nuk ka vullnet për të përballuar krizën klimatike,” tha ai. “E vërteta është se kriza klimatike shkakton dëme, dhe dëme ekonomike. Çështja e klimës nuk duhet të ketë një karakter politik. Fatkeqësisht, është një fakt objektiv me të cilin duhet të përballemi. Kryeministrja Meloni duhet t’i tregojë parlamentit se cilat iniciativa synon të ndërmarrë.”
Ndërkohë, Alice Buonguerrieri, një deputete nga partia Vëllezërit e Italisë e Melonit, tha se do të paraqiste një ankesë në prokurori “për të përcaktuar përgjegjësinë” për përmbytjet e fundit.
Ajo pretendoi se autoritetet e qendrës së majtë të rajonit kishin shpenzuar vetëm 49 milionë euro nga 130 milionë euro të ndara nga qeveria vitin e kaluar për ndërtimin e mbrojtjeve nga përmbytjet.
Në Evropën Lindore dhe Qendrore, përmbytjet ishin më të këqijat në dy dekada. Të paktën 24 persona kanë vdekur – pesë në Republikën Çeke, shtatë në Rumani, shtatë në Poloni dhe pesë në Austri. Dëmi vlerësohet të jetë në miliarda euro, me rrugë, ura dhe linja hekurudhore të shkatërruara dhe lagje të tëra të përmbytura.
Në qytetin e tretë më të madh të Polonisë, Wrocław, mbrojtjet duket se po qëndrojnë pas dy ditësh të ethshme pune nga ushtria dhe forcat e mbrojtjes civile, si dhe vullnetarë nga 600,000 banorët e qytetit. Polonia ka vendosur 14,000 trupa në rajonin më të prekur afër kufirit çek.
“Është shumë herët për të thënë se përmbytja në Wrocław është kapërcyer,” tha kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë një takimi të krizës.
“Do të preferoja që të qëndronim vigjilentë dhe të përpiqeshim të parashikonim me sa më shumë saktësi gjendjen e lumenjve.”
Tusk më vonë do të takohej me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrat e Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Austrisë për të diskutuar ndihmën për rajonin, i cili ka marrë pesëfishin e reshjeve mesatare për shtatorin brenda pesë ditëve.
Në Hungari, e cila ka forcuar mbrojtjet përgjatë më shumë se 500 kilometra të bregut të lumit, Danubi pritet të arrijë kulmin në kryeqytet, Budapest, të shtunën.
Kryeministri Viktor Orbàn tha se uji duhet të mbetet nën nivelet rekord të vitit 2013 dhe se Hungaria “do të realizojë një mbrojtje të suksesshme edhe ndaj kësaj përmbytjeje.”