Deputeti Ervin Salianji i ka qëndruar pretendimit të tij të pafajësisë në konkluzionet që jep në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e ka dënuar me 1 vit burg për dosjen “Babale”.
Ai pretendoi se kallëzimi i tij nuk ishte i rremë, duke kërkuar pafajësinë.
Ligjvënësi demokrat tha se i kishte fituar gjyqet e mëparshme dhe se kishte denoncuar aferat e njerëzve të pushtetit.
Ai pretendoi se Alizoti, Veliu dhe Olldashi thonë se e kanë bërë ata kallëzimin, teksa në gjyq gjendet ai vetëm pse e tha publikisht. Salianji u shpreh se kishte denoncuar faktin se vëllai i ish-ministrit Xhafa ishte i dënuar në Itali për drogë dhe se autoritetet këtu nuk e zbatonin.
Ai përmendi edhe emrin e një avokati për të cilin tha se ka dorëzuar audio-përgjimin me zë dhe që sipas tij “sot mbron ministra të pushtetit dhe madje Geron Xhafën, vëllanë e ish-ministrit”, por pa i përmendur emrin.
Në fund Salianji u shpreh se të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe policët e përmendur te çështja e denoncuar e audio-përgjimit dhe rastit të Geron Xhafës janë të shkarkuar.
Fjala e Salianjit në Gjykatën e Apelit:
“Në funksionin tim si deputet dhe sekretar kam bërë denoncime të ndryshme në lidhje me funksionarë të lartë, për Arben Ndoka, Agron Cara, Flamur Bibe, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Saimir Tahiri, Geron Xhafa, Artur Hushi, Ervin Rroshi, Vangjush Dako, Safet Gjici, Pjerin Ndreu dhe kështu me radhë. Të gjitha këto çështje kanë qenë të denoncuara prej meje dhe të çuara në gjykatë. Të gjitha çështjet që kanë pasur në çdo gjykatë janë fituar. Në vitin 2017 kemi nisur një denoncim për ish-ministrin e Drejtësisë dhe deputetin e PS tanimë, që kishte favorizuar që vëllai i vetë me këto dy emra, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, i qenka dënuar reputacioni. Ne kemi nxjerrë dokumentin gjyqësor të gjykatës italiane, ku kemi thënë ky njeri ka dënim, ndërkohë vëllai është ministër i Brendshëm. Siç e dëgjuat nga avokati i gazetarit, ai thotë e kam bërë unë. Albert Veliu thotë e kam bërë unë. Ku hyj unë këtu? Si hyj unë këtu? E para nuk ka kallëzim. Ç’është kjo vepër kallëzim publik? Pa diskutim që unë këtë do e bëj 1000 herë dhe kur të dal nga kjo.
Ka email-e që vërtetojnë që në këtë audio-përgjim e kemi pasur në tetor 2017. Denoncimi është bërë në 4 Maj 2018, në orën 11:00. Për tre dite me radhë pati heshtje nga ministri dhe vëllai i vet dhe heshtje nga prokurorët. Zero reagim. Nëse një njeri preket në mënyrë të padrejtë, del dhe thotë nuk jam unë personi i denoncuar me zë. Se ajo është me zë. Ky zotëri denoncohet në orën 11:00, dhe pavarësisht dënimit të tij me burg, shkon me influencën e vëllait të tij dhe vetëdorëzohet. Prova që është ngritur e gjithë kjo “farsë” është gjë zëri i Agron apo Geron Xhafa ka ardhur me USB, nga një avokat që tani mbron të gjithë ministrat e korruptuar. Ndërkohë kur ka qenë në prokurori, e ka ndihmuar qe t’i shmanget dënimit. Ka një lidhje me shumë se klient-avokat.
Albert Veliun dhe Alfred Alizotin unë nuk i kam njohur kurrë. Si e kam bërë unë një kallëzim të rremë, kur ata thonë që e kanë bërë vetë. Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim me mua, zero asnjë koktakt.
Alizoti urdhëron drejtorin e policisë së Fierit me sill paratë se jam me shefin këtu. Alizoti urdhëron drejtorët e policisë së qarqeve.
Drejtori i policisë Andon Marku i jep para këtij. Të gjithë këta prokurorët dhe gjyqtarët janë të gjithë të shkarkuar. Kulluri dhe Osmani u shkarkuan. Kol Hysenaj po ashtu.
Artan Gjermeni ka dalë në përgjimet e prokurorisë italiane si “zar” dhe “ushtar” i bandës së Lushnjës. Ky është trafikant droge dhe mbron trafikantët. Jam unë këtu dhe nuk ka hetim për Fatmir Xhafën që e ka vëllanë trafikant droge”.