Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj: Të thuash po hetojmë projektin e ‘Sterilizimit’ nuk është e drejtë


Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, ka lënë sot qelinë për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi. Gjatë dëshmisë, Rjepaj theksoi se hetimi duhet të jetë i përputhshëm me objektin e këtij komisioni, duke shtuar se emërtimi “projekt sterilizimi” nuk përfshin të gjitha aktivitetet e lidhura me këtë çështje.

Ai shpjegoi se sterilizimi është një term që shpesh keqinterpretohet dhe se projekti përfshin aspekte të tjera si ofrimi i instrumenteve, veshjeve njëpërdorimshe, dezinfektimin e sallave dhe trajtimin e mbetjeve biologjike.

Ndërkohë, avokati i tij kërkoi konfirmimin e lejes për të pyetur Rrjepaj, ndërsa Vokshi shpjegoi se komisioni ka dërguar kërkesa në SPAK dhe gjykatë, duke theksuar se hetimet parlamentare kanë të drejtë të shqyrtojnë aspektet administrative të çështjes.

Rrjepaj: Sa i takon objektit të hetimit të këtij komisioni parlamentar duhet të jetë në përputhje në objektin të asaj gjejë që hetohet. Mendoj se të thuash po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Është në kurriz të gjithë aktiviteteve të tjera që kryhen brenda këtij projekti.

Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor që nuk ka ardhur si rastësi. Ka qenë një tjetërsim, dhe ndoshta nuk ka qenë rastësi që debati dhe analiza  me konkluzionet kanë ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti.

Do të ishte mire që kur themi sterilizimi të kuptojmë një projekt që ka objektin e vet, ofrimin e setit të instrumenteve, ofrimin e veshjeve një-përdorimshe për personelin mjekësor, dezinfektimin e sallave, trajtimin e mbetjeve me risk biologjik si dhe administrimin e repartit qendror të sterilizimit. Këto elementë përmbajnë projektin që nuk është vetëm sterilizimi.

Avokati: A është marrë leja që Rrjepaj të pyetet?

Vokshi: Ne kemi dërguar shkresa, në SPAK dhe gjykatë na është konfirmuar prania dhe dua të përsëris që Komisionet Hetimore bazuar edhe në kushtetutë bëjnë hetimin parlamentar të pjesës administrative.