Vendosni fjalën kyçe....

Kurti akuza Perëndimit se po “përkëdhel” Serbinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Perëndimin se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po shpaguan krimet e bëra dhe se Kosova po paguan për këtë për këtë sjellje të kancelarive perëndimore.

Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veri të vendit gjatë këtij viti.

Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.

Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha: “Mendoj se përkëdhelja e Serbisë nga Perëndimi gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft.”

“Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Rusinë dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, tha Kurti.

Serbia, për dallim nga vendet e BE-se dhe vendet e tjera të Perëndimit, nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.

“Serbia ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, shtoi ai.