Në një intervistë për kanalin italian “La Sette”, kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria e së ardhmes mund të krahasohet me Italinë, duke e cilësuar vendin fqinj si një model për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai vlerësoi homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, duke theksuar se ajo është një person i drejtpërdrejtë dhe real dhe se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të thella dhe të qëndrueshme, përtej përkatësive politike.
“Kushdo që e njeh Giorgia Melonin nuk mund të mos ketë një marrëdhënie të mirë me të, ajo është një person shumë real dhe i drejtpërdrejtë. Nuk ka rëndësi cilës parti i përket, është kryeministrja e vendit më të afërt me të cilin Shqipëria është e lidhur përjetë. Për mua ideologjitë kanë vdekur që kur ra muri i Berlinit.”-tha Rama.
Rama gjithashtu u ndal te vonesat për hapjen e kampit të emigrantëve në Gjadër, duke theksuar se kjo është një çështje që varet nga qeveria italiane.
Në një intervistë tjetër për Euronews, ai konfirmoi se marrëveshja me Italinë për emigrantët është ekskluzive dhe nuk ka lidhje me përpjekjet e Italisë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Rama e cilësoi marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Italisë si një “dashuri pa kushte” dhe theksoi se marrëveshja ofron një zgjidhje pragmatike për situatën e emigrantëve.