Vendosni fjalën kyçe....

Raporti/ Shërbimi Sekret bëri gabime të shumta, përgjegjës për atentatin e 13 korrikut ndaj Trump-it


Shërbimi Sekret është përgjegjës për dështimet e shumta të sigurisë që çuan në atentatin e 13 korrikut kundër ish-presidentit Donald Trump gjatë një tubimi në Pensilvani, thuhet në një raportin zyrtar për ngjarjen e rëndë rreth dy muaj më pas.

Rishikimi i brendshëm i agjencisë elitare që ka përgjegjësinë për sigurimin e personaliteteve dhe kandidatëve presidencialë zbuloi se agjentët dështuan të përdornin teknologjinë që mund të kishte zbuluar atentatorin ndërsa ai fluturoi një dron mbi vendin e tubimit disa orë më parë. Ekipi mbrojtës i Trump nuk kishte asnjë informacion se policia po kërkonte furishëm për personin e dyshimtë, derisa të shtënat u qëlluan në turmë.

Shërbimi Sekret, i cili është agjencia kryesore përgjegjëse për sigurinë e presidentëve, ish-udhëheqësve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të SHBA-së, nuk i udhëzoi në asnjë rast snajperët e policisë lokale të mbulonin një çati aty pranë, edhe pse ata ishin të gatshëm ta bënin këtë, thuhet në raport.

Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, ishte në gjendje ditën e atentatit të ngjitej në majë të një çatie dhe të qëllonte disa të shtëna, duke vrarë një pjesëmarrës në tubim, Corey Comperatore dhe duke plagosur dy të tjerë, përfshirë kandidatin republikan për president Donald Trump. Një snajper i Shërbimit Sekret i vendosur pranë Trump u përgjigj duke vrarë Crooks.

Raporti zyrtar është një përmbledhje e rrallë, pesë faqesh e hetimit të brendshëm të agjencisë deri tani për masat organizative, udhëheqjen dhe stafin e saj për të identifikuar “shkaqet e mundshme” për “dështimin e misionit” në tubim dhe mënyrat për t’u përmirësuar në të ardhmen. Shumë nga gjetjet janë tashmë publike përmes raporteve të medias ose seancave dëgjimore në Kongres.

Raporti është rishikimi i brendshëm 60-ditor që ish-drejtoresha Kimberly Cheatle tha se ishte duke u zhvilluar menjëherë pas të shtënave. Ajo kishte ngurruar për të ndarë hollësitë e hershme të hetimit me Kongresin, duke bërë që ligjvënësit e zemëruar të kërkonin dorëheqjen e saj pak para se të jepte dorëheqjen pak më pas.

Zëvendësi i saj, Ronald L. Rowe Jr., u bë ushtrues në detyrë i pozicionit më 23 korrik.

Rishikimi është i ndarë nga një hetim mbi një atentat në tentativë kundër Trump të dielën. Një agjent i Shërbimit Sekret pa një burrë të armatosur në perimetrin e sigurisë së Klubit Ndërkombëtar të Golfit të Trump në West Palm Beach, ndërsa Trump ishte duke luajtur golf. Agjenti qëlloi ndërsa autori Ryan Routh u kap më pas duke u larguar me makinë. Famtirësisht askush nuk u lëndua gjatë incidentit. Roëe lavdëroi agjentët për planifikimin e sigurisë dhe reagimin gjatë të shtënave.

Roëe ka thënë se shkelja e sigurisë e 13 korrikut nuk ishte rezultat i mungesës së burimeve, por dështim për të parashikuar kërcënimin e mundshëm.

Ai tha se Shërbimi Sekret filloi të bënte ndryshime menjëherë më pas, duke përfshirë zgjerimin e sigurisë për Trump dhe zyrtarë të tjerë nën mbrojtjen e agjencisë. Më shumë se 40 zyrtarë, familje dhe personalitete të huaja kanë ekipe mbrojtëse nga Shërbimi Sekret.

Raporti për 13 korrikun vjen ndërsa Shërbimi Sekret dhe agjencia e tij mbikëqyrëse, Departamenti i Sigurisë Kombëtare, po negociojnë me Kongresin për të rritur në mënyrë dramatike buxhetin e agjencisë për të zgjeruar numrin e agjentëve dhe hetuesve, për të përmirësuar pajisjet si limuzinat e blinduara dhe për ngritjen e bazave stërvitore në qendrën e agjencisë në Maryland.

Zyrtarët kanë kundërshtuar të japin hollësi rreth asaj se sa buxhet duhet që agjencia prej 3 miliardë dollarësh në vit, me mbi 7,000 punonjës, të zgjerohet, por Sekretari i DHS, Alejandro Mayorkas tha në një intervistë këtë javë se agjencia po kërkon një rritje “të konsiderueshme” të buxhetit.

Hetime të shumta shtesë janë duke vijuar për të shtënat, përfshirë ato nga FBI, Kongresi dhe inspektori i përgjithshëm i DHS-së, mbikëqyrësi i pavarur i agjencisë.

Presidenti Joe Biden urdhëroi gjithashtu një rishikim të pavarur 45-ditor të përgatitjes dhe trajtimit të tubimit nga Shërbimi Sekret dhe politikave dhe procedurave të tij të përgjithshme. Rezultatet e rishikimit priten në fillim të tetorit, ka thënë DHS-ja.

Pjesa më e madhe e përmbledhjes përqendrohet në gabimet e ekipin pararojë të Shërbimit Sekret dhe koordinimin e tij me forcat federale dhe lokale përpara sulmit.

Agjentët e Shërbimit Sekret dhe forcat federale dhe vendor përdorën frekuenca të ndryshme radioje dhe u mblodhën në mjdeise të ndryshme, gjë që i pengoi ata ata të ndajnë menjëherë informacionin në mënyrë elektronike apo personalisht. Shërbimi Sekret kishte dhomën e vet të sigurisë, ndërsa Shërbimet e Emergjencave të Qarkut Butler kishin një dhomë komandimi të veçantë.

Si rezultat, kur autoritetet vendore po kërkonin për Crooks në turmë, disa nuk e dinin që Shërbimi Sekret nuk po dëgjonte drejtpërdrejt transmetimet e tyre radiofonike, thuhet në raport.

“Nëse ky informacion do kalonte mbi frekuencat radiofonike të Shërbimit Sekret, do kishte lejuar ekipin mbrojtës të Trump për të përcaktuar nëse do e lëviznin kandidatin republikan ndërsa kërkimi për të dyshuarin e dyshimtë ishte në vijim.”

Në vend të kësaj, ky paralajmërim jetësor u transmetua në “mënyrë të shkëputur ose me mungesë koherence” nëpërmjet telefonave celularë.

Agjentët e Shërbimit Sekret dhe një ekip lokal taktik që vepronte në katin e dytë të ndërtesës “American Glass Research”, ku Crooks u ngjit në majë të çatisë, nuk planifikuan paraprakisht të mbulonin ndërtesën, edhe pse kishte një vijë të qartë të shikimit të podiumit ku Trump foli atë ditë.

Hetuesit e brendshëm zbuluan se snajperët vendas do ishin pozicionuar në majë të çatisë nga ku u qëllua po t’u ishte marrë mendimi.

Ekipi mbrojtës i Trump kishte një sistem kundërdron për vizitën në Pensilvani, por ata hasën vështirësi teknike dhe nuk e përdorën atë.

“Është e mundur që nëse ky element i përparuar do kishte funksionuar siç duhet, gjuajtësi mund të ishte pikasur teksa ai fluturoi dronin e tij pranë lokalit të “Butler Farm Show” më herët gjatë ditës”, thuhet në raport.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani