Vendosni fjalën kyçe....

Vritet modelja transgjinore në Gjerogji pas miratimit të ligjit anti-LGBTQ+


Një modele e njohur transgjinore në Gjeorgji, Kesaria Abramidze, është vrarë vetëm një ditë pas miratimit të një ligji që kufizon të drejtat e LGBTQ+ në vend.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë raportoi se Abramidze, 37 vjeç, dyshohet se është therur për vdekje në apartamentin e saj në periferi të Tbilisit të mërkurën, sipas The Guardian.

Ngjarja ka ndodhur pasi parlamenti gjeorgjian miratoi ligjin që ndalon martesat e të njëjtit seks dhe trajtimet e afirmimit të gjinisë, si dhe ndalon organizimin e ngjarjeve të Pride dhe censuron libra e filma që promovojnë të drejtat e LGBTQ+.

Ndërkohë, në reagimin e saj për vrasjen e Abramidze, presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zourabichvili, e quajti vdekjen e saj një “thirrje për zgjim” për shoqërinë gjeorgjiane.

“Një vrasje e tmerrshme! Vdekja e kësaj gruaje të re dhe të bukur … nuk duhet të jetë e kotë!” shkroi ajo në Facebook.

Michael Roth, kreu i komisionit për çështjet e jashtme të Bundestagut në Gjermani, gjithashtu reagoi ashpër ndaj vrasjes, duke e lidhur atë me ligjin anti-LGBTQ+.

 “Ata që mbjellin urrejtje, do të korrin dhunë. Kesaria Abramidze u vra vetëm një ditë pas miratimit të ligjit anti-LGBTI në parlamentin gjeorgjian,” tha Roth në një postim.

Kritikat e ndërkombëtarëve dhe aktivistëve vendas kanë theksuar se ligji i ri rrezikon të thellojë ndarjet sociale në vend dhe të përshkallëzojë dhunën ndaj komuniteteve të margjinalizuara.

“E vërteta është se ligji ka karakterizime të qarta homofobike dhe transfobike që nxisin dhunë,” shtoi Qendra për Drejtësi Sociale në një deklaratë tjetër.

Ndërsa motivi i saktë i vrasjes mbetet i paqartë, aktivistët në Gjeorgji e kanë lidhur ngjarjen me një fushatë shtetërore kundër minoriteteve. Abramidze ishte një nga figurat e para publike trans në vend dhe një avokate e të drejtave të LGBTQ+.

Ligji është një nga disa përpjekje të partisë qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” për të miratuar politika që favorizojnë vlerat konservatore, në një kohë kur Gjeorgjia synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.