Vendosni fjalën kyçe....

Zgjerohen me 9.7% shitjet online nga bizneset më 2024


Në vitin 2024, 24,5% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të posacme, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve, duke shënuar rritje prej 9,7%, krahasuar me vitin 2023 raportoi sot INSTAT.

Përllogaritur brenda të njëjtit aktivitet ekonomik, peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e Akomodimit dhe Shërbimit Ushqimor me 45,3%, pasuar nga aktivitetet e Informacionit dhe Komunikimit me 38,0% dhe Tregtia me shumicë dhe me pakicë me 36,2%.

Media sociale (Facebook, Linkedln,Twiter, Youtube, Twiter, Pinterest etj.) është përdorur nga 83,1% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 80,5% që rezultoi në vitin 2023.

Në vitin 2024, shërbimet cloud të cilat u referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj., janë përdorur nga 30,0% e ndërmarrjeve që kanë akses në internet. Krahasuar me vitin 2023, përdorimi i shërbimeve cloud në ndërmarrjet që kanë akses në internet, ka shënuar 7,0% rritje.

Në ndërmarrjet të cilat kanë blerë shërbimet cloud gjatë vitit 2024, 70,6% e tyre aplikojnë software-in për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM), i cili lehtëson komunikimin me klientin dhe ndihmon në gjurmimin e interesave të klientëve, etj.

Në vitin 2024, ndarja automatike e informacionit brenda ndërmarrjes, e cila përdoret për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve të ndërmarrjes, duke ndarë informacionin midis fushave të ndryshme funksionale është përdorur nga 40,7% e ndërmarrjeve nga 38,8 % e ndërmarrjeve të cilat e kanë përdorur gjatë vitit 2023.

Ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune gjatë vitit 2024, përfaqësojnë 99,3% të ndërmarrjeve, nga 99,1% që rezultuan në vitin 2023.

Gjatë vitit 2024, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 29,7%, nga 28,4% që rezultoi në vitin 2023.

Të punësuarit që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune përbëjnë 32,4% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 29,9% që rezultuan në vitin 2023.

Përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 74,8%, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 65,7% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 59,1%

Në vitin 2024, ndërmarrjet me 250+ të punësuar përdorin 100% kompjuter me akses në internet. Në këtë grup ndërmarrjesh, 34,3% e të punësuarve përdorin kompjuter me akses në internet.

Në vitin 2024, 99,3% e ndërmarrjeve ka përdorur lidhje fikse në internet, e cila përfshin lidhjet e tipit ADSL, SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP), teknologji kabllore, etj nga 99,1% që rezultuan në vitin 2023.

Përqindja e ndërmarrjeve që kanë patur shpejtësinë e shkarkimit të informacionit më të lartë se 30 Mbit/s është 88,0%, nga 83,5% që ishte në vitin 2023, ndërsa përqindja e ndërmarrjeve me mbi 100 Mbit/s është 40,9%.

Faqja e internetit (website) është përdorur nga 57,7% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 54,9% që rezultoi në vitin 2023.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor