Në një lëvizje befasuese, Shqipëria mund t’i japë sovranitet Urdhrit Bektashi. Krijimi i Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi pasqyron modelin e Vatikanit, duke i lejuar Urdhrit të qeverisë punët e veta në mënyrë të pavarur.
Por si erdhëm deri në këtë pikë?
Për Report Tv flet ekskluzivisht Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i njohur edhe si Baba Mondi, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Intervista
Report Tv: Çfarë do të thotë njohja e sovranitetit për Urdhrin Bektashi?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Njohja e sovranitetit është një moment transformues për Urdhrin Bektashi. Do të na lejojë të mbrojmë dhe avancojmë misionin tonë shpirtëror për promovimin e paqes, tolerancës dhe dashurisë për njerëzimin në shkallë globale. Krijimi i Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi do të na japë autonominë për të vazhduar punën tonë pa ndërhyrje, duke na mundësuar të qeverisim çështjet tona fetare dhe administrative njëlloj si Vatikani. Ky kapitull i ri për komunitetin bektashi siguron që zëri ynë, i cili ka mbrojtur prej kohësh moderimin dhe dialogun ndërfetar, do të rezonojë më fuqishëm në mbarë globin.
Për besimtarët tanë, kjo nuk ka të bëjë me pushtetin politik apo blerjen e tokës. Ka të bëjë me forcimin e misionit të Urdhrit Bektashi për moderimin shpirtëror dhe mbrojtjen e praktikave tona fetare. Shqipëria ka qenë historikisht një fener i bashkëjetesës fetare dhe ky hap është një dëshmi e natyrës largpamëse të qeverisë shqiptare nën udhëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili pranoi rëndësinë e dhënies së hapësirës për të vazhduar promovimin e paqes. Për komunitetin tonë në mbarë botën, është një moment krenarie dhe ripërtëritjeje, duke forcuar identitetin dhe praninë tonë në skenën globale.
Report Tv: Kush do të ketë të drejtë të përfitojë shtetësinë e këtij Urdhri?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Shtetësia në Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet tek anëtarët e klerit dhe ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në administrimin e shtetit, ngjashëm me mënyrën se si është strukturuar shtetësia në Vatikan. Kjo sepse fokusi ynë është te qeverisja shpirtërore, jo te krijimi i një popullsie të madhe, të përcaktuar politikisht.
Shteti ynë i ri është kryesisht një ent shpirtëror dhe qëllimi është të ruajë aftësinë e Urdhrit Bektashi për të funksionuar në mënyrë të pavarur në çështjet e tij fetare dhe administrative. Thënë kështu, ndërsa shtetësia e përgjithshme nuk do të shtrihet për të gjithë ndjekësit, sovraniteti do të sigurojë një bazë të sigurt për komunitetin bektashi në mbarë botën që të vazhdojë praktikat e tyre fetare pa ndërhyrje. Urdhri do të shërbejë si një shtëpi shpirtërore për besimtarët Bektashinë anembanë globit, duke u ofruar atyre një vend strehimi dhe përfaqësimi, edhe nëse ata nuk janë qytetarë zyrtarë.
Report Tv: Pse është rëndësishëm krijimi i këtij Urdhri dhe pse ju e vendosni fokusin tek ekstremizmi veçanërisht?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë si një zë moderimi brenda Islamit. Me sovranitetin tonë të njohur, ne jemi në një pozicion më të fortë për t’iu kundërvënë ideologjive radikale që kanë pllakosur, jo vetëm botën myslimane, por komunitetet globale në përgjithësi. Ne do të angazhohemi aktivisht në bashkëpunimin ndërfetar, do të zgjerojmë programet arsimore dhe do të nxisim shkëmbimet kulturore që promovojnë tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.
Ekstremizmi lulëzon në ndarje dhe duke fuqizuar zëra të moderuar si i yni, ne mund të krijojmë një kundër-narrativë të fuqishme. Ne planifikojmë të bashkëpunojmë ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe vende në të gjithë Lindjen e Mesme, të cilët kanë shprehur mbështetje të fortë për këtë nismë. Duke u fokusuar në edukimin, dialogun dhe promovimin e lirisë fetare, Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të kontribuojë në përpjekjet globale për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin.
Report Tv:-Kritikët mund të argumentojnë se kjo lëvizje e sovranitetit është politike. Si i përgjigjeni kësaj?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Ndërsa ne po bëhemi vërtet një shtet sovran, fokusi ynë është tërësisht shpirtëror, jo politik. Sovraniteti i dhënë Urdhrit Bektashi ka të bëjë me ruajtjen e pavarësisë sonë për të përmbushur misionin tonë për të promovuar paqen, tolerancën dhe dialogun. Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare.
Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë mbi grindjet politike dhe ky status i ri është një njohje e kontributit tonë në nxitjen e paqes. Ai është krijuar për të na lejuar të veprojmë pa kufizimet e ndikimit politik, në mënyrë që të mund të fokusohemi vetëm në zhvillimin shpirtëror dhe moral të ndjekësve tanë, dhe si rrjedhojë, të gjithë atyre që kërkojnë paqe dhe bashkëjetesë.
Report Tv:-Si e parashikoni reagimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj sovranitetit të Urdhrit Bektashi, veçanërisht nga kombet me interesa të lidhura me dinamikën fetare?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Ne presim që komuniteti ndërkombëtar të njohë rëndësinë e mbështetjes së zërave të moderuar fetarë si Urdhri Bektashi. Shumë vende, veçanërisht ato që përballen me çështje të ekstremizmit fetar ose tensioneve, kanë një interes të veçantë në promovimin e paqes dhe stabilitetit. Urdhri ynë ofron një model moderim dhe bashkëjetesë që mund të shërbejë si kundërpeshë ndaj ideologjive radikale.
Për shembull, vendet që mbajnë role udhëheqëse në botën islame, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë një mundësi për të përforcuar angazhimin e tyre për të promovuar interpretime të moderuara dhe paqësore të Islamit, duke mbështetur traditën tonë paqësore Shiite Sufi. Për më tepër, kombet që përballen me tensione të brendshme fetare ose ekstremizëm, si Kina, e cila po përballet me një kërcënim në rritje militant islamik në Xiangjiang, mund të shohin vlerën në përafrimin me Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi, pasi ne ofrojmë një rrugë për të adresuar këto sfida, pa inkurajimin e ndarjes ose radikalizimit.
Ne besojmë se me kalimin e kohës, ndërsa këto kombe shohin përfitimet e përforcimit të zërave të moderuar fetarë, ata do të japin mbështetjen e tyre. Misioni ynë përputhet me përpjekjet globale për të nxitur tolerancën dhe dialogun dhe ne kemi besim se komuniteti ndërkombëtar do ta njohë Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi si një forcë për të mirën në botë.
Report Tv: Si do të angazhohet Urdhri Bektashi me komunitetet e tjera fetare?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Urdhri Bektashi ka një traditë të gjatë të dialogut ndërfetar dhe me këtë status të ri, ne synojmë të zgjerojmë përpjekjet tona në nivel global. Ne do të punojmë ngushtë me komunitetet e krishtera, hebraike dhe të tjera myslimane për të nxitur mirëkuptimin, respektin dhe bashkëpunimin ndërmjet besimeve të ndryshme. Nëpërmjet nismave arsimore, shkëmbimeve kulturore dhe programeve të përbashkëta, ne shpresojmë të kapërcejmë ndarjet dhe të promovojmë paqen.
Misioni ynë është të tregojmë se besimi mund të jetë një forcë për unitet, jo përçarje. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të shërbejë si një platformë globale për dialogun ndërfetar, duke inkurajuar respektin midis traditave të ndryshme fetare dhe kulturore. Ne jemi të përkushtuar të përdorim këtë platformë për të ndërtuar ura paqeje dhe mirëkuptimi midis të gjithë njerëzve.
Report Tv: Çfarë mesazhi keni për ata që e shohin me skepticizëm krijimin e këtij shteti të ri?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Për ata që janë skeptikë, do t’u thosha këtë: sovraniteti ynë ka të bëjë me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të paqes dhe lirisë fetare. Ne nuk jemi të interesuar për pushtet politik apo zgjerim territorial. Kjo nismë është tërësisht shpirtërore. Statusi ynë i ri sovran siguron që zëri i moderuar dhe i dialogut të Urdhrit Bektashi të lulëzojë, pa presione të jashtme politike.
Ne jetojmë në një botë që polarizohet gjithnjë e më shumë dhe tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zëra që mbështesin tolerancën dhe bashkëjetesën. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të jetë një fener i këtyre vlerave dhe ftoj skeptikët ta shohin këtë si një mundësi për të gjitha kombet dhe besimet që të bashkohen në emër të paqes.
Pse është tani koha e duhur që Urdhri Bektashi të fitojë sovranitet?
Kryegjyshi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj: Bota po përballet me një rritje të intolerancës fetare, radikalizmit dhe ekstremizmit. Tani është koha për të ngritur zërat që promovojnë paqen dhe mirëkuptimin. Urdhri Bektashi ka qëndruar prej kohësh për këto vlera dhe dhënia e sovranitetit na siguron që ne të vazhdojmë ta përhapim këtë mesazh në mënyrë efektive.
Qeveria shqiptare e kupton nevojën kritike për të mbrojtur zërat e moderuar fetarë. Me sovranitet, ne mund të udhëheqim me shembull, duke treguar se besimi mund të jetë një mjet i fuqishëm për paqen në botën moderne. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi nuk është vetëm një dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë ndaj tolerancës fetare, por edhe një hap jetik drejt stabilitetit dhe harmonisë globale.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Shqiptarja.com