Demokratët e Lezhës ‘kryqëzuan’ Flamur Nokën në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike në Lezhë gjatë prezantimit të Agron Gjekmarkajt si drejtues politik i këtij qarku.
Anëtaret e kryesisë, por dhe simpatizantet e kësaj force politike të pranishëm në mbledhje ku ishte dhe sekretari i Përgjithshem i PD Flamur Noka, kundërshtuan vendimmarrjen e Sali Berishës që Gjekmarkaj të drejtojë fushaten elektorale në Lezhë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare 2025.
Sipas demokratëve nuk mund të përfaqësohen nga një person i cili u zgjodh deputet në Qarkun e Lezhës në vitin 2021 dhe për tre vite nuk u pa asnjëherë në zonë, ndërsa nuk munguan debatet e forta me Flamur Nokën.
Debatet kanë qenë të forta dhe me tone tepër të larta.
Dëgjohet zëri i një demokrati: Këtu është mbushur me patronazhistë. Patronazhistët të shkojnë tek PS. Hajde vëlla! Jemi të thirrur kryetar, sekretar dhe anëtar! I kam dhënë votën Agron Gjekmarkajt!
Flamur Noka: Qartë, qartë.
Demokrati: Për debat kam ardhur këtu. Unë dua të fitoj, nuk dua të humb.
Flamur Noka: Janë50 burra e gra këtu. Nuk ta kanë borxh. Nuk mund ti mbash peng ti
Demokrati: Do ti mbaj peng, siç më kanë mbajtur me helm ata 5 që ke aty mua
(Në një moment ndërhyn Gjin Gjoni për të qetësuar demokratin)
Demokrati tjetër: Kam 30 vjet në opozitë me ju. Ça të rrej më. Kanë mbaru rrenat ca ti them!
Flamur Noka: S’ke pse ti thuash rrenat t’i thuash të vërtetën.
Demokrati tjetër: Sali Berisha a ka deklaruar me 11 janar do të bëhen primare? Pse nuk bëri primare e të nxirrnim ne fitues kë të donim ne?
Demokratet e Lezhës paralajmerojnë bojkot të fushatës elektorale të vitit 2025 dhe humbje të thellë nëse nuk do të ketë reflektim që Agron Gjekmarkaj të tërhiqet si drejtuesi politik i këtij qarku.
Demokrati tjetër, drejtues lokal i PD-së në këtë qark: Kam një pyetje të thjeshtë për zotin Agron. Ka 3 vjet që asnjë demokrat nuk e ka takuar. Përtej çështjes së Tiranës, politike jo me Lulin jo me Salën jo … pastaj rrokulliset sa rrokulliset e pastaj gjen veten.
Demokrati tjetër: Ne nuk dalim në fushatë asnjë nëse Agron Gjekmarkaj do të vijë drejtues politik. Dhe unë pa ata s’kam ça bëj. Që sot nëse vendoset, për të qenë unë mirupafshim!
Kam 7 seksione, edhe asnjë, kujtdo që i kam thënë, më kanë thënë po na erdhi në listë të mbyllur, Agron Gjekmarkaj, si drejtues politik ne asnjë nuk dalim në fushatë. Unë s’kam tjetër me kë bëj fushatë.
Por Flamur Noka është përpjekur ta fshehtë ‘mizën nën kësulë’. Në përfundim të takimit Sekretari i Përgjithshem i Partisë Demokratikei mohoi debatet në këtë mbledhje.
“Unë habitem nga i keni këto. Asnjë kontestim. Në ditën e sotme ka pasur diskutime për aksionin dhe për strategjinë e këtij aksioni dhe si do të organizohemi e bëhemi bashkë me çdo qytetar të Lezhës e Shqipërisë për të mundur së keqen, Edi Ramën e Rilindjen.” tha Noka në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së kryesisë së këtij qarku
Mbrojti kandidaturën e propozuar nga Sali Berisha duke e quajtur Agron Gjekmarkaj, njeri të penës dhe të mendjes, një përfaqësues dinjitoz për Lezhën.
“PD, Sali Berisha i ka sjellë Lezhës një intelektual brilant të kalibrit të lartë. I ka sjellë nënkryetarin e partisë dhe të Kuvendit, pra një nga figurat politike më të lartë të PD-së. Ka sjellë Agron Gjekmarkaj njeri që i bën nder Lezhës. Mos harroni është njeri i penës dhe mendjes dhe nuk mund të krahasohet me Ulsin e dosjes 184. Shikoni si e trajton Lezhën Edi Rama dhe PD e Sali Berisha. PD sjell një personalitet politik, intelektual ndërsa rilindja një anëtar të një grupi kriminal që organizoi vjedhjen e votës në Dibër” tha Flamur Noka më tej
Takimi i prezantimit të Agron Gjekmarkaj si drejtues politik i Partisë Demokratike në Lezhë u bojkutua nga pjesa më e madhe e kryesisë së kësaj force politike, ndërsa demokratet e Njesisë Shënkollit dorëzuan dhe një peticion kundër vendimarrjes së Sali Berishës për drejtuesin politik të këtij qarku.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com