Vendosni fjalën kyçe....

Hezbollah konfirmon vrasjen e komandantit të lartë në sulmin ajror të Izraelit në Bejrut


Grupi militant libanez Hezbollah tha më 21 shtator se një komandant i dytë i lartë ishte në mesin e 15 të vrarëve nga një sulm ajror izraelit në Bejrut një ditë më parë.

Grupi i mbështetur nga Irani tha se Ahmed Mahmud Wahbi udhëhoqi operacionet ushtarake të Forcës Radwan të Hezbollahut në mbështetje të Hamasit të shpallur organizatë tërroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja që nga 7 tetori.

Në atë datë, grupi palestinez sulmoi Izraelin, duke nxitur luftën në Gaza.

Ushtria izraelite tha se sulmi ajror i saj në periferinë jugore të Bejrutit të premten eliminoi shefin e Forcës Radëan, Ibrahim Aqil, dhe disa komandantë të tjerë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se sulmi në rrethinën Dahia në jug të Bejrutit e kishte në shënjestër dhe e vrau Ibrahim Akilin, komandantin e Forcës elitare Radëan të Hezbollahut, si dhe 10 operativë të tjerë të këtij grupi të shpallur organizatë terroriste ngas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Akili shpërbënte si shef i organit më të lartë ushtarak të Hezbollahut, Këshilli i Xhihadit, dhe ka qenë i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në dy sulme terroriste më 1983, si pasojë e të cilave ishin vrarë mbi 300 njerëz në Ambasadën amerikane në Bejrut dhe në barakat e Marinës amerikane.

Sulmi i së premtes në Bejrut u krye gjatë orës së pikut kur njerëzit po ktheheshin nëpër shtëpi nga puna dhe fëmijët e kishin kryer mësimin. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin e Libanit në vitet e fundit.

Më herët të premten, Hezbollah e goditi veriun e Izraelit me 140 raketa, një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit  grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj./REL