Vendosni fjalën kyçe....

“Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, Rama zbulon planin për krijimin e një mikroshteti për bektashinjtë


Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për New York Times, ka zbuluar se Shqipëria po planifikon të krijojë një enklavë të re myslimane brenda Tiranës, të quajtur Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Ai theksoi se kjo iniciativë synon të ofrojë një hapësirë të stilit të Vatikanit për Bektashinjtë, si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare në vend.

Rama ka shprehur se në të ardhmen e afërt do të shpallë detaje të mëtejshme mbi këtë entitet, që ka si qëllim të përfaqësojë një version tolerant të Islamit, me të cilin Shqipëria krenohet.

“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë,” tha ai.

“Një mikroshtet i moderuar islamik”, tha kryeministri, “do të dërgonte një mesazh: ‘Mos lejoni që stigma për muslimanët të përcaktojë se cilët janë muslimanët’.”

Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira në Tiranën lindore, raporton NYT, duke shtuar se është sa vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.

“Deri më tani, z. Rama, një katolik jo praktikant, tha se vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt e dinë për planin dhe aleatët e NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, nuk janë konsultuar”, shkruan media prestigjoze amerikane.

Një vend që ka pak mundësi ta pranojë këtë nismë është Irani, i cili ka shumë ndjekës të fshehtë të Islamit, përfshirë disa Bektashinj, por e sheh veten si mbrojtës të Islamit Shiit, raporton New York Times.

“Iranianët janë sinqerisht mendimi im i fundit”, tha Rama, duke vënë në dukje se Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022, pas sulmit kibernetik ndaj qeverisë shqiptare dhe rrjeteve bankare.

Kreu i qeverisë u shpreh se kufijtë e shtetit të propozuar do të përcaktohen nga pronat e Bektashinjve. “Ajo që u sekuestrua nuk është pjesë e kësaj”, tha Rama për median amerikane.

Ai theksoi se grindjet mbi pronësinë e pronave, vetëm do të minonin qëllimin e shtetit si një “model bashkëjetesë”.

“Kjo nuk është një çështje pronësie, por një çështje shpirtërore”, deklaroi kryeministri në intervistë.

Megjithatë, gjatë intervistës, Rama pranoi se krijimi i një shteti sovran islamik në Tiranë do të kërkonte kohë. “Ndoshta të gjithë do të thonë: ‘Ky është i çmendur’”, shprehet kryeministri.

Por, ai shtoi: “Këtë e kanë thënë shumë herë më parë. Nuk më intereson. Gjëja e rëndësishme, çmenduri apo jo, është të luftosh për mirë.”

Kleriku Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, shpjegoi se si planifikon të drejtojë një territor prej 27 hektarësh, që do të shpallet shtet sovran me administratën, pasaportat dhe kufijtë e tij. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se së shpejti do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.

Baba Mondi, 65 vjeç, një ish-oficer i Ushtrisë Shqiptare dhe udhëheqës i Bektashinjve, deklaroi se “të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi.” Bektashizmi, një rend sufi shiit i themeluar në shekullin e 13-të në Turqi, tani ka qendrën e tij në Shqipëri.

Ky projekt synon të promovojë një version tolerant të Islamit dhe të ofrojë një model të ri për bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

Ai u shpreh gjatë intervistës, se “Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”.

“Kleriku mysliman që përgatitet të udhëheqë atë që, nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të bëhet shteti më i vogël në botë.

Shteti i tij mysliman që ai shpresoj ta ndërtojë në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, do të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë territorin, do të lejojë alkoolin, do të lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të stilit të jetesës”, shkruan NYT.

Në këtë zonë do të ketë një sallë mbledhjesh, një muze, një klinikë dhe zyra administrative. Baba Mondi, i njohur për qëndrimin e tij të hapur, e përshkroi ekstremizmin si një fenomen të padëshiruar, duke i quajtur ata që përdorin dhunën për të përhapur besimin e tyre “kauboj”. Ai nënvizoi se vetëm Zoti nuk bën gabime.

Por, Baba Mondi shprehet se “madhësia e territorit të shtetit nuk ka rëndësi”, duke shtuar, “Unë nuk kam nevojë të jem diktator”.

“Vetëm Zoti,” tha ai Kryegjyshi i bektashinjve, “nuk bën gabime.”

Sipas New York Times, një grup ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po punon për një legjislacion që do të përcaktojë statusin sovran të këtij entiteti të ri brenda Shqipërisë. “Kjo do të kërkojë miratimin e Parlamentit, i cili kontrollohet nga Partia Socialiste. Ende nuk është e qartë se cilat vende, nëse ka, do ta pranojnë sovranitetin e bektashinjve,” raporton NYT.

Baba Mondi shprehu gjatë intervistës se shteti i ri bektashi mund të ketë nevojë për një shërbim të vogël inteligjence “sepse kemi armiq”, por nuk do të ketë ushtri, roje kufitare ose gjykata.

“Detaje të tilla si kush do të kualifikohet për pasaporta ende duhet të përpunohen, shtoi ai, por ngjyra e pasaportës është vendosur: jeshile, një ngjyrë e rëndësishme në Islam. Shqipëria lejon dyshtetësinë”, tha ai.

NYT shkruan se: “I përkushtuar për të qetësuar dhe jo për të nxitur tensionet, Baba Mondi u zotua të mos bëjë asnjë përpjekje për të zgjeruar territorin e tij.”

Baba Mondi, nga ana e tij, e quajti planin e shtetësisë “një mrekulli” dhe shprehu shpresën se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore do ta njohin sovranitetin e shtetit të tij nëse Parlamenti miraton planin e kryeministrit, raporton New York Times.

“Ne meritojmë një shtet,” tha ai, “Ne jemi të vetmit në botë që themi të vërtetën për Islamin dhe mos e ngatërroni atë me politikën”.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e New York Times