Izraeli dhe Libani shkëmbyen zjarr të rëndë të dielën, me avionët luftarakë izraelitë që kryen bombardimet më intensive në pothuajse një vit luftë në gjithë jugun e Libanit, ndërsa Hezbollah mori përsipër sulme me raketa ndaj objektivave ushtarake në veri të Izraelit.
Ushtria izraelite tha se goditi rreth 290 objektiva të shtunën, duke përfshirë mijëra platform raketahedhëse të Hezbollahut dhe tha se do vijojë të godasë objektivat e lëvizjes së mbështetur nga Irani.
Izraeli mbylli shkollat dhe kufizoi tubimet në shumë zona veriore të vendit dhe në lartësitë e pushtuara Golan herët të dielën.
Sirenat u dëgjuan gjatë gjithë natës ndërsa raketa dhe predha të shumta u lëshuan nga Libani dhe Iraku, shumica e të cilave u kapën nga sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite, tha ushtria.
Mediat izraelite raportuan se një numër ndërtesash u goditën drejtpërdrejt ose nga rënia e mbeturinave të raketave, dhe shërbimet e ambulancës thanë se ata trajtuan disa njerëz të plagosur lehtë. Nuk raportohet për viktima të shumta.
Hezbollah tha se kishte shënjestruar bazën ajrore izraelite “Ramat David” me dhjetëra raketa në përgjigje të “sulmeve të përsëritura izraelite në Liban”, postoi grupi në kanalin e tij Telegram herët të dielën.